Shqetësuese/ Numri i lindjeve në QKUK bie për rreth 20% në dy vitet e fundit

09:08 | 12 January 2025
shqetesuese/-numri-i-lindjeve-ne-qkuk-bie-per-rreth-20%-ne-dy-vitet-e-fundit

Drejtor i Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Zef Ndrejaj, ka prezantuar statistika shqetësuese në lidhje me rënien e natalitetit viteve të fundit në Kosovë.

Sipas statistikave të ofruara nga Ndrejaj në vitin 2022 në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë u regjistruan 8,804 lindje, ndërsa në vitin 2023 ky numër ra në 7,723, përkatësisht për rreth 1100 lindje.

Ndërsa deri më 30 dhjetor të vitit 2024 janë regjistruar 7,320 lindje, krahasuar me dy vite më parë nataliteti ka shënuar rënie për rreth 20 për qind gjatë vitit të kaluar.

Ish-drejtori i QKUK: Mërgata, shkollimi dhe ekonomia po ndikojnë në uljen e natalitetit në Kosovë

Ish-drejtori i QKUK-së dhe gjinekologu, Curr Gjocaj në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me rënien e natalitetit në Kosovë, duke identifikuar disa faktorë kryesorë.

Gjocaj po ashtu theksoi se familjet kosovare janë më të vogla dhe më të shkolluara, dhe se mentaliteti mbi familjen ka ndryshuar, duke çuar në dëshirën për të pasur më pak fëmijë.

Një tjetër faktor që ndikojnë në rënien e natalitetit janë kushtet ekonomike, sipas Gjocaj.

“Ka disa faktorë. Ka shumë mërgatë që jetojnë jashtë e nuk lindin këtu por jashtë dhe regjistrohen me vonesë këtu, familjet janë me më pak numër e më të shkolluar dhe nuk kanë dëshirë të bëjnë shumë fëmijë. Kanë mentalitet tjetër mbi familjen jo si më herët. Ndikim ka edhe kushtet ekonomike”, ka deklaruar Gjocaj.

Kastrati: Pasiguria ekonomike ka ndikuar në rënien e natalitetit në Kosovë

Psikologu Rron Kastrati është deklaruar për “Front Online” lidhur me rënien e natalitetit në Kosovë, duke theksuar faktorët kryesor që ndikojnë në humbjen e interesit të të rinjve për të krijuar familje.

Sipas Kastratit, pasiguria financiare dhe humbja e kuptimit të familjes janë faktorë të rëndësishëm, duke bërë që të rinjtë të mendojnë më shumë për stabilitetin financiar para se të mendojnë për krijimin e një familjeje.

“Faktorët kryesor të humbjes së interesit tek të rinjtë për të krijuar familje janë si faktorët socio- ekonomik, pasiguria financiare dhe sipas tyre familjes i ka humbur kuptimi dhe duhet paraprakisht të punësohen të krijojnë një siguri financiare dhe ndërkohë të shikojnë mundësitë për të bashkëjetuar dhe pastaj ta mendojnë ose jo riprodhimin”, shprehet ai.

Ai gjithashtu përmendi faktorët socio-kulturorë, ku të rinjtë janë të shqetësuar se krijimi i familjes mund të ndikojë në karrierën dhe ritmin e jetës së tyre.

Kastrati theksoi gjithashtu se institucionet nuk po u ofrojnë mundësi të rinjve për avancim në fusha përkatëse.

“Faktorët socio-kulturorë dhe bindja e tyre që nëse krijojnë familje mund ta humbasin ritmin e jetës, karrierën dhe shtohen shumë mundësi dhe s’mund i përballojnë. Fajin e kanë institucionet që nuk ju ofrojnë të rinjve mundësi të avancimit në fusha përkatëse. Pastaj edhe fertilizimi i asistuar ka ndikuar, IVF e të tjera”, deklaroi Kastrati.

Komento: