Shqipëri: Komisioni që shkaktoi tensione në Kuvend, PS i vendos afat PD-së

15:56 | 03 Shkurt 2026
shqiperi:-komisioni-qe-shkaktoi-tensione-ne-kuvend,-ps-i-vendos-afat-pd-se

Vendimi i një dite më parë nga ana e demokratëve në Shqipëri për t’u ulur sërish në tryezën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, me pretendimin se nuk kishin bojkotuar kurrë punën në Kuvend, duket se ishte harruar.

Në seancën e së martës demokratët shkuan me kërkesa të reja, raporton A2CNN.

Për socialistët retorika e demokratëve ishte e pakuptueshme ndaj u dhanë kohë deri në mbrëmje për të pasur një qëndrim të qartë nëse do marrin pjesë në mbledhje apo do të vijojnë t’i bojkotojnë.

“Çfarë thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes, doli zotëria dhe unë pyeta ChatGPT për ta kuptuar se çfarë tha, por na ndihmuan djemtë dhe vajzat e medias për të kuptuar që ju jeni tërhequr nga bojkoti i reformës. Ne po ju themi që nëse ju vini nuk ka nevojë ta ndryshojmë, na i thoni deri në darkë”, tha Taulant Balla.

Pavarësisht qëndrimeve të deputetëve demokratë, Sali Berisha nga oborri i Kuvendit deklaroi se nuk ishin larguar kurrë nga Territorialja, por sipas tij edhe nëse socialistët ndryshojnë përbërjen dhe heqin paritetin, për ta nuk ndryshon asgjë.

“Të bëjnë ç’të duan. Ne jemi në komision. Duan të na përjashtojnë fare? Le ta bëjnë. Jemi, si nuk jemi. Kush tha që nuk jemi? Ne kemi qenë dhe jemi. Nuk ka asnjë diskutim. Besoni ju gënjeshtrat e Taos? E patë ju kush ishte Tao, ia lexova aty para jush. Si mund t’i besoni ju atij?”, deklaroi kreu demokrat

Komento: