Shqipëria, e para në rajon për modernizimin e prokurimeve publike – Edi Rama njofton fazën e re me inteligjencë artificiale

16:56 | 11 Dhjetor 2025
Shqipëria, e para në rajon për modernizimin e prokurimeve publike – Edi Rama njofton fazën e re me inteligjencë artificiale

Shqipëria është renditur e para në Ballkanin Perëndimor për modernizimin dhe integritetin e sistemit të prokurimeve publike, sipas raportit më të fundit të monitorimit të SIGMA-s.

Këtë e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit “30 vjet Prokurime Publike – Shqipëria, lider rajonal në modernizimin e sistemeve të prokurimit”, ku theksoi se vendi ka kaluar një transformim rrënjësor. Rama u shpreh se ky progres duhet komunikuar më qartë në një mjedis të polarizuar politikisht. Ai tha se pavarësisht kritikave, të dhënat e viteve të fundit tregojnë ndryshim të dukshëm në raport me të kaluarën.

Sipas tij, arritjet në këtë sektor janë rezultat i punës së Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Komisionit të Prokurimit Publik, si dhe bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Bankën Botërore. Raporti i SIGMA-s e rendit Shqipërinë me diferencë të madhe mbi vendet e tjera të rajonit për performancën në prokurimet publike. Kryeministri njoftoi gjithashtu se vendi po hyn në një fazë të re teknologjike, ku inteligjenca artificiale do të marrë një rol qendror në procedurat e prokurimit.

“Sot ne jemi në një proces të avancuar për të kaluar të gjithë procesin e prokurimeve në duart e inteligjencës artificiale, me një përqindje shumë të lartë të procesit që nuk përfshin njeriun”, tha ai, duke theksuar se kjo pritet të rrisë transparencën dhe të minimizojë mundësitë për abuzim.

Rama u ndal edhe te shqetësimet për mundësinë e manipulimit të algoritmeve, duke garantuar se sistemi “Diella” do të jetë plotësisht i auditueshëm dhe i gjurmueshëm në çdo hap. Vendimi final, sipas tij, do të mbetet gjithmonë në dorën e komisioneve përkatëse. Në përfundim, ai theksoi nevojën për rritjen e profesionalizmit në fushën e prokurimeve. Qeveria ka centralizuar të gjitha procedurat te Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i cili synohet të shndërrohet në një institucion profesional me staf të specializuar, duke menaxhuar mijëra procedura që kërkojnë ekspertizë të lartë.

Komento: