Shqipëria sot synon fitore ndaj Kazakistanit

11:25 | 11 October 2020

Shqipëria do të kërkojë të lërë pas humbjen ndaj Lituanisë në Nations League me një sukses në Kazakistanin e largët ndaj skuadrës vendase.

Edhe pse me shumë mungesa sidomos në sulm aty ku trajneri Reja ka lënë jashtë emra me peshë si Cikalleshi, Balaj e Sadiku, kuqezinjtë i kanë mundësitë për të triumfuar në Almaty në një ndeshje që mund t’i rikthejë në vendin e parë të grupit 4 në Ligën C.

Në të kaluarën Shqipëria është përballur dy herë me Kazakistanin teksa në eliminatoret e Botërorit Gjermani 2006 me gjermanin Hans Peter Brigel në stol ka arritur të fitojë në të dyja rastet 2-1 në Tiranë dhe 0-1 në Kazakistan.

Reja ka shumë dyshime për sa i përket formacionit pasi përveç sulmuesve me eksperiencë do të mungojnë edhe lojtarë të tillë si Strakosha, kapiteni Hysaj, Klaus Gjasula i cili nuk është lejuar t’i bashkohet kombëtares nga klubi i tij Hamburg apo edhe Odise Roshi që është lënë jashtë nga trajneri.

Mbrojtja duket reparti më stabël i kuqezinjve në këtë sfidë teksa në portë do të aktivizohet nga minuta e parë Etrit Berisha i cili do të mbajë edhe shiritin e kapitenit në krah.

Në mbrojtje në 3-shen e qëndrës do të luajnë Gjimshiti, Dermaku e Kumbulla, mesfusha me 5 me shumë gjasa nga debutuesit Doka e Çekiçi si dhe Abrashi, Bare e Lenjani, ndërsa në sulm Rey Manaj do të ketë si partner talentin Armando Broja.

Parashikohet një duel i nxehtë ku kombëtarja shqiptare do të bëjë maksimumin për të marrë tre pikët edhe pse trajnerin Reja do e kënaqte edhe 1 pikë./SS/

Komento: