Shqiprim Arifi: 150 mijë eurot e ndara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, janë derdhur në llogarinë e familjarit të Besnik Bislimit

21:34 | 24 May 2023

Arifi: 150 mijë eurot e ndara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, janë derdhur në llogarinë e familjarit të Besnik Bislimit.

Kryetari i Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka akuzuar Qeverinë Kurti që 150 mijë eurot e ndara për “lobim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Washington” derdheshin në llogarinë bankare të Faton Bislimit, familjarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Arifi tha se çdo ndihmë për shqiptarët e Preshevës është e pranueshme por nuk duhet anashkaluar transparenca për për taksapaguesit ashtu si dhe siç tha ai “vjedhjen klasike të 1.2 milion eurove të Fondit të Kosovës, të cilat tani i gjeni në xhepat e eksponentëve të Partisë për Veprim Demokratik; të deputetit në parlamentin serb Shaip Kamberi, si dhe kryetaren e degës së PVD-së në Preshevë, njëherit këshiltare e Kryeministrit Kurti, Ardita Sinani.”

“Por ajo çka do të doja të sqaroja më mirë është pse pikërisht fondet e dedikuara për shqiptarët e Luginës duhet të derdhen në llogarinë bankare të familjarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi?”, ka shkruar Arifi në Facebook, përcjell reporter.

“Si 150 mijë euro për 3 vizita?”, ka pyetur ai.

Tutje ai shpjegoi tri dokumentet e bashkangjitura në postimin e tij.

Në dokumentin e parë është “vendimi i Qeverisë Kurti për ndarjen e mjeteve në emër të Këshillit Kombëtar Shqiptar – i cili udhëhiqej nga partia e këshilltares së kryeministrit Kurti për Luginën e Preshevës, ku theksohet se mjetet financiare do të transferohen në llogarinë bankare të përcaktuar prej tyre.”

Ndërsa në dokumentin e dytë “Dokumenti ku ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi – bashkëpartiak i ngushtë i këshilltarës së Kryeministrit, ka pohuar se mjetet e Qeverisë Kurti janë derdhur tek “Washington International Affairs Institute”.

E dokumenti i tretë sipas Arifaj “është okumenti që tregon se “Washington International Affairs Institute” është në fakt një kompani L.L.C e regjistruar nga Faton Bislimi më 3 shtator të vitit 2021. Më interesant fakti është se si për kompaninë në fjalë është zgjedhur një emër thuajse i ngjajshëm me Institutin e themeluar në vitin 1961 me emrin “Washington Institute of Foreign Affairs” për të pasqyruar një seriozitet të kësaj kompanije të Faton Bislimit”, përfundoi Arifi.

Komento: