Shqiprim Arifi tregon se çfarë iu tha Presidentja në takim: “Te ndërkombëtarët kërkon reciprocitet”

16:09 | 24 October 2022

“Te ndërkombëtarët kërkon reciprocitet”, Shqiprim Arifi tregon se çfarë iu tha Presidentja në takim.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi tha se ka shkuar mirë takimi që e përfaqësuesit politikë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit e patën sot në mesditë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Arifi i tha Gazetës Express se Osmani iu ofroi mbështetje, se do t’i njoftojë për mbarëvajtjen e dialogut dhe se kërkon nga ndërkombëtarët që të garantojnë trajtim të njëjtë për shqiptarët e Luginës ashtu siç i trajton Kosova serbët e veriut.

“Si çdo president edhe më herët, na tha se do të kemi mbështetje në të gjitha nivelet, do të na njoftojnë për mbarëvajtjen e dialogut, na tha se te ndërkombëtarët kërkon që reciprociteti të garantohet për Luginën sikur për serbët e Kosovës”, tha Arifi.

Kryetari i Preshevës tha se “takimi ka shkuar shumë mirë”.

“Ka qenë një takim konsultativ në të cilin e kemi njoftuar Presidenten në lidhje me situatën tonë në Luginën e Preshevës dhe kërkesave tona, por edhe rreth regjistrimit. I kërkuam që të na mbështes edhe këtë javën e fundit, që t’i motivojë qytetarët që të vijnë dhe të regjistrohen”, tha Arifi.

Para takimit, Arifi e ka pranuar se me kryeministrin Albin Kurti ka marrëdhënie jo të mira. Ai tha se se ka dallim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani dhe ftesave të tyre për takime me përfaqësuesit e Luginës. Në prill, Arifi kishte refuzuar t’i shkonte në takim kryeministrit Albin Kurti, me arsyetimin se shefi i Qeverië së Kosovës po përpiqej të ndërhynte në proceset politike në Preshevë, duke favorizuar rivalen e tij, Ardita Sinanin.

Komento: