
Shqiptarët shumë shpejt nuk do të kenë më nevojë të firmosin fizikisht për të kryer veprime të rëndësishme si aplikimi në universitet, hapja e llogarive bankare, regjistrimi i pronës apo nënshkrimi i kontratave të qirasë dhe shit-blerjes.
Pas prezantimit të identitetit digjital, që pritet të zëvendësojë kartat fizike, vendi po bën një tjetër hap drejt transformimit të plotë digjital – nënshkrimin elektronik.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka vënë në konsultim publik projektligjin “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”.
Sipas njoftimit zyrtar, projektligji përcakton qartë rregullat për nënshkrimin dhe vulat elektronike, shërbimet e transmetimit të regjistruar elektronik, autentifikimin e faqeve të internetit, arkivimin elektronik dhe menaxhimin e pajisjeve që mundësojnë nënshkrimin digjital. Ai synon të krijojë një bazë të fortë për ndërtimin e identitetit digjital kombëtar, në përputhje me standardet evropiane.
Përmes këtyre ndryshimeve, proceset administrative që deri tani kërkonin paraqitje fizike e nënshkrim me dorë, do të reduktohen ndjeshëm, duke kursyer kohë dhe lehtësuar ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
“Projektligji synon përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të besuara duke bërë të mundur një qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbimet e ofruara nga ofruesit e kualifikuar të shërbimeve të besuara, me qëllim garantimin e besueshmërisë dhe sigurisë në përdorimin e shërbimeve të identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara nga qytetarët, bizneset dhe administrata publike”, thuhet në dokument, raporton A2CNN.
Në këtë mënyrë, portofoli i identitetit digjital pritet t’u mundësojë individëve dhe bizneseve akses të sigurt, të unifikuar dhe të ndërveprueshëm me shërbimet online – jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar.