Protesohet për bashkim kombëtar.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të protestojnë për bashkim kombëtar. Kjo është konfirmuar përmes një njoftimi për media nga Zyra e OVL- UÇPMB-së në Preshevë.
Aty thuhet shqiptarët kanë bërë përpjekje shekullore për të realizuar të drejtën e tyre për bashkim kombëtar.
Protesta mbahet më 28 nëntor.
Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje i OVL-UÇPMB-së:
Shqiptarët janë duke bërë përpjekje shekullore për të realizuar të drejtën për bashkim kombëtarë. Këtij ideali madhor i kanë ndihmuar sakrifica të gjeneratave nga e kaluara e lavdishme, e tashmja dhe ardhmja.
Shqiptarët kanë dhënë dëshmorë në luftëra për bashkim kombëtarë. Kanë zhvilluar rezistenca aktive e paqësore, kërkesa e protesta para bashkësisë ndërkombëtare dhe shumë akte tjera në shërbim të kauzës për bashkim.
Të dashur qytetarë, të dashur bashkëkombas atdhetarë shqiptare po i jetojmë momentet vendimtare kur po bisedohet për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptaro serbe.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB – së fton qytetarët e Kosovës Lindore që t’i bashkangjitemi protestës që do të organizohet më 28 Nëntor të këtij muaji, Dita e Flamurit, dita e Pavarësisë së shtetit të Shqipërisë.
Prej një mijë arsyeve qē do të duhej të protestonim kundër këtij regjimi, një e veçojmë; ngritjen e zërit për bashkangjitje me Kosovën.
Ejani të festojmë dhe të protestojmë për autoktoninë tonë shekullore.
Protestojmë kundër padrejtësive historike, për të drejtën tonë natyrale, për realizimin e amanetit të dëshmorëve, për ardhmërinë dhe dinjitetin e fëmijëve tanë.
Në bashkëpunim me subjektet politike, shoqërinë civile, bashkësinë islame OVL e UÇPMB – së fton të gjithë qytetarët që t’ i bashkangjiten kësaj proteste më 28 Nëntor, në ora 11 nga Shtëpia e Kulturës në marshin protestues deri te qendra e qytetit para Kuvendit Komunal.
Dil protesto me dinjitet. Protesto për autoktoni kombëtarë, autenticitet kulturorë e patriotik. Protesto për kauzën madhore.
Protesto për bashkim kombëtarë.