Antonio Conte nuk është më trajner i Tottenhamit, ku qëndroi për një vit e gjysmë, por dështoi t’u japë trofe londinezëve, gjë që klubit ju mungojnë për një kohë të gjatë.
Vendimi për shkarkimin e tij erdhi mbrëmjen e të dielës, pasi palët kishin arritur marrëveshje.
Trajneri italian kishte shpërthyer pas barazimit 3-3 ndaj Southampton, ku nuk kurseu sulmin ndaj klubit dhe futbollistëve.
Conte është rikthyer në Itali dhe po shijon pushimet, por e ardhmja e tij ka shumë pikëpyetje.
Janë plotë shtatë klube që mund të vazhdojë karrierën italiani.
Interi – Me zikaltërit u nda dy vite më parë, për t’i lënë vendin Simone Inzaghit, teksa shkak u bë mungesa e investimeve në afatin kalimtar. Megjithatë tani situata nuk ka ndryshuar. Te Interi do të mirëprisnin një rikthim të Contes, por nuk kanë ndërmend të bëjnë çmenduri në afatin kalimtar.
Juventusi – Conte është një legjendë e Juves dhe do të kthehej vullnetarisht aty. Aq më tepër tani që “armiku” i tij më i madh, Agnelli është tërhequr. Megjithatë edhe këtu shumë do të varet nga proceset gjyqësore ku janë përfshirë bianconerët. Kjo sepse Conte nuk dëshiron të drejtojë një skuadër që nuk luan për objektiva madhorë.
Milani – Edhe Pioli, nuk kanë më besimin e patundur të kryesisë së klubit dhe shkak është paqëndrueshmëria e Milanit këtë sezon. Trajneri mund të shpëtojë vetëm nga kalimi në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, nëse kjo do të ndodhë. Megjithatë Maldini e ka në mendje emrin e Contes.
Roma – Romanistët provuan ta ofronin italianin edhe para se të merrnin Jose Mourinhon. Largimi i portugezit në fund të sezonit, mund të krijojë kushtet e duhura për të firmosur me Conten. Por edhe në këtë rast, trajneri do të donte garanci për investime në afatet kalimtare.
Real Madrid – Florentino Perez ka qenë pranë firmës me Conten edhe më parë, por në fund ka vendosur t’u besojë emrave të tjerë. Megjithatë Ancelotti do të largohet në fund të sezonit, me destinacion Brazilin. Los Blancos kanë edhe Conten në konsideratë, për t’i besuar drejtimin e ekipit sezonin e ardhshëm.
PSG – Edhe në kryeqytetin francez pritet ndryshimi në bankinë, pasi Cristophe Galtier nuk po bind. Gjithsesi në Francë duan Evropën dhe Conte ka treguar që nuk ka marrëdhënie shumë të mira me këto gara.
Chelsea – Nuk përjashtohet një rikthim në “Stamford Bridge”, ku Conte fitoi edhe titullin kampion në Ligën Premier disa sezone më parë.
Graham Potter nuk po bind, edhe pas investimeve të shumta. Ndërkohë te blutë e Londrës të gjithë kanë konsideratë për punën e Contes dhe do të ishin në favor të rikthimit të tij.
Opsionet janë padyshim të shumta, megjithatë italiani është një nga ata trajnerë me pagë të lartë. Në Itali mund të ketë më shumë mundësi, duke qenë se përfitohet nga “dekreti”, që përgjysmon taksat.