Pas një aksidenti me veturë, kanë humbur jetën shtatë persona.
Një adoleshent që po ikte nga policia kufitare amerikane e ka përplasur veturën në një kamion në El Paso të Teksasit, me ç’rast vdiqën vozitësi dhe gjashtë persona të tjerë.
Të gjitha viktimat ndodheshin brenda veturës së aksidentuar, kur vozitësi 18-vjeçar u përplas me kamionin afër një ndërtese, njoftoi policia lokale. Në këtë aksident u lëndua tre persona të tjerë, të cilët u dërguan në spital.
Dy nga tre personat e lënduar janë meksikanë dhe një tjetër është nga Guatemala. Sipas policisë, të tre personat e lënduar janë në gjendje stabile, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Policia kufitare njoftoi përmes një deklarate se agjentët i janë përgjigjur një thirrjeje për aktivitet të dyshimtë afër kufirit me Meksikën.
Zyrtarët policorë u munduan ta ndalonin një veturë, por vozitësi adoleshent u përpoq t’i shmangte ata duke e përshpejtuar veturën.
Më pas, ai e humbi kontrollin e veturës dhe ajo u përplas në një kamion që ndodhej në pronë private.
Ky rast është duke u hetuar nga policia kufitare dhe Zyra për Përgjegjësi Profesionale.