
7 zyrtarët e AKK’së ia deklarojnë vetes pasurinë.
Zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsion, detyrohen që deklarimin e tyre të pasurisë ta bëjnë të vetja e tyre.
Por, që të jetë më transparent ky proces, njohësit e drejtësisë po propozojnë se shtatë zyrtarët e kësaj agjencie deklarimin e tyre ta bëjnë në një organ tjetër jashtë AKK’së.
Ky institucion i mban nën llupë rastet e korrupsionit në Kosovë.
Agjencia Kundër Korrupsionit inicion e zhvillon procedura të zbulimit dhe hetimit paraprak të korrupsionit.
Po ashtu kjo agjenci përcjellë kallëzimet penale për rastet e dyshimit për korrupsion në prokurorinë publike kompetente, nëse për të njëjtin rast nuk zhvillohet procedurë penale;
E një ndër detyrat më të rëndësishme që kryen është mbikëqyrja e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik e politik.
Mirëpo në listën për kontrollin e pasurisë, hyjnë edhe 7 punonjësit e kësaj agjencie, të cilët deklarimin e bëjnë te vetja e tyre.
Këtë agjenci Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e radhit në listën e institucioneve më të besueshme e profesionale në vend.
Megjithatë Miftaraj vlerëson që do të ishte mirë që zyrtarët e agjencisë të deklaronin pasurinë në një organ tjetër jashtë AKK-së.
E në Agjencinë Kundër Korrupsionit thonë që të gjithë zyrtarët e Agjencisë kundër Korrupsionit, deklarimin e pasurisë e bëjnë konform obligimeve ligjore, pa ndonjë hezitim.