Shtesat për fëmijë, hapet aplikimi për të gjithë ata që kanë lindur në vitin 2012

14:18 | 01 September 2022

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar qytetarët se të enjten e 1 shtatorit është hapur aplikimi edhe për fëmijët e lindur nga 1 janari i vitit 2012 që të përfitojnë nga Shtesat për Fëmijë.

Fëmijët e lindur në vitin 2012 tani do të përfitojnë 10 euro në muaj.

Ndryshe më 23 qershor, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se rishikimi i buxhetit ka mundësuar të zgjerohen skemat shtesë për fëmijët.

Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, Murati ka thënë se tashmë ka mjete të mjaftueshme që të zgjerohet skema për shtesat e fëmijëve.

“Meqë sot kaloi edhe rishikimi buxhetit, kam kënaqësinë t’i njoftoj edhe qytetarët që për shkak të kalimit të rishikimit, tani do të kemi mundësi që prej muajt të ardhshëm të fillojmë me zgjerimin e skemës për shtesat për fëmijë. Pra, nga muaj i ardhshëm do të fillojmë zgjerimin e skemës për shtesat për fëmijë, sepse tani me hyrjen në fuqi të rishikimit, kemi edhe fonde të mjaftueshme”, është shprehur Murati.

Fëmijët e lindur pas vitit 2015 i marrin nga 10 euro në muaj, ndërkaq ata që kanë lindur në dy vitet e fundit i marrin nga 20 euro.

Në anën tjetër, sa i përket mundësisë së tërheqjes së mjeteve nga Trusti pensional, ministri Murati ka deklaruar se tashmë është dhënë qëndrimi nga qeveria.

“Si qeveri tashmë kemi dhënë vendimin tonë se pse kjo çështje nuk duhet të kalojë dhe nuk duhet të shkohet tutje, sepse shkatërrohet një institucion e me atë institucion shkatërrohet edhe e ardhmja e pensionistëve”, shtoi ai.

Komento: