
Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 13 mijë euro mjete monetare të padeklaruara gjatë kontrolleve në pikën kufitare në Bërnjak, në kundërshtim me detyrimin ligjor për deklarimin e shumave që tejkalojnë 10 mijë euro.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë hyrjes në Kosovë një shtetas i huaj është pyetur nga zyrtarët doganorë nëse posedonte mjete monetare apo mallra për t’i deklaruar, por ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të raportuar.
Megjithatë, bazuar në dyshimet e krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët kanë kryer kontroll të automjetit dhe kontroll personal të udhëtarit, ku janë gjetur rreth 13 mijë euro të padeklaruara.
Për rastin janë ndërmarrë procedurat administrative të parapara me legjislacionin në fuqi, ndërsa mjetet monetare janë ndaluar dhe konfiskuar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave për verifikimin dhe dokumentimin e prejardhjes së tyre.
Dogana e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e qarkullimit të mjeteve monetare të padeklaruara dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme në kufi, me qëllim mbrojtjen e interesave financiare të vendit dhe garantimin e sigurisë së kufirit doganor.