Zv/ministrja Vesna Mikqi e cila e quajti gjenocid intervenimin e NATO-s nw vitin 1999. Por ani paguhet mbi 14 mijë euro në vit nga Qeveria e Kosovës.
20 vite më parë, NATO për 78 ditë me radhë ka bombarduar caqet serbe në Kosovë, duke ndalur kështu gjenocidin e serbëve ndaj popullatës civile.
Ndonëse për shënimin e këtij përvjetori nuk ka pasur ndonjë organizim nga institucionet, liderët kosovarë zgjodhën rrjetet sociale për të kujtuar atë kohë.
Përveç udhëheqësve shtetëror, edhe ata ndërkombëtarë ndanë copëza kujtimesh nga intervenimi i NATO-s në Kosovë, shkruan Indeksonline.
Mirëpo, përkundër që është pjesë e Qeverisë Haradinaj, një reagim më ndryshe e bëri, zëvendësministrja e Drejtësisë, Vesna Mikiq.
Ajo në një postim në Facebook, tha se 20 vite më parë, ndaj një “shteti sovran” aleanca e NATO-s kreu “gjenocid të planifikuar e të qëllimshëm”.
Sipas saj, edhe sot ndaj Serbisë është duke u bërë një presion dhe shantazh që të njoh pavarësinë e siç iu referua ajo, “pjesës dhunshëm të rrëmbyer nga territori i vendit serb”.
Mirëpo, si zv/ministre, sa përfitoi nga Buxheti i Kosovës gjatë vitit 2018 zonja Mikiq?
Vesna Mikiq, gjatë vitit të kaluar ka marrë mbi 14 mijë e 500 euro pagë.
Përveç kësaj, Mikiq për një vit, nga buxheti ka shpenzuar 2 mijë e 49 euro e 35 cent. Prej të cilave, 311 euro e 33 cent i ka shpenzuar për udhëtime zyrtare, 823 euro e 10 cent për reprezentacion apo shpenzime për dreka dhe darka e 854 euro e 92 cent për shpenzime të telefonit.
Mikiq në kabinetin e saj ka edhe një asistente administrative e cila për një vit ka marrë 5 mijë e 96 euro e 40 cent, ndërsa për telefon ka shpenzuar 240 euro.
Kurse vozitësi i saj, është paguar 5 mijë e 193 euro për një vit. Derisa për telefon ka shpenzuar 240 euro.
E, pas deklaratës së Mikiq, ka reaguar është deputetja Ganimete Musliu. Ajo ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj shkarkim për zëvendësministren.
“Kryeministër Haradinaj, shkarkoje menjëherë! Boll më kemi toleruar, por jo deri në pafundësi. Ndytësirat si kjo nuk i shërbejnë as serbëve të Kosovës. Le të shkoj të jetoj në “shtetin e saj sovran”, ka shkruar Musliu në Facebook.
I menjëhershëm ka qenë kundërpërgjigjja e zv.ministres Vesna Mikiq.
“Mendoj se ka gjëra më të rëndësishme që duhet t’i drejtosh në parlament, sesa të shikosh në profilet e të tjerëve në Facebook. Sipas ligjit, Musliut i ndalohet të marrë fotografitë dhe tekstet nga profilet private pa lejen e pronarit”, ka shkruar ajo dhe ka shtuar se si është e mundur që Musliu është e painformuar që serbët janë taksapagues të rregullt.