Shteti me më së shumti myslimanë në botë anulon haxhillëkun për sivjet

12:02 | 02 June 2020

Koronavirusi ka bërë qe disa shtete të anulojnë edhe haxhillëkun.

Indonezia, shteti me numrin më të madh të myslimanëve në botë, – rreth 225 milionë – ka vendosur që ta anulojë haxhillëkun për këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Për çdo vit, qindra mijëra indonezianë shkojnë në haxhillëk në Arabinë Saudite, më saktësisht në dy qytetet e shenjta për myslimanët, Mekë dhe Medine, shkruan “Reuters”.

Autoritetet e Arabisë Saudite tashmë kanë njoftuar se haxhillëku dhe umreja, në të cilat marrin pjesë miliona njerëz nga tërë bota, do të jenë të pezulluara deri në njoftimin e ardhshëm.

Fachrul Razi, ministër për çështje fetare, tha se vendimi për anulimin e haxhillëkut për sivjet është marrë për shkak të shqetësimeve rreth koronavirusit dhe masave të vazhdueshme kufizuese në sektorin e udhëtimeve.

Për këtë vit, vendi kishte planifikuar që t’i dërgonte në haxhillëk 221,000 besimtarë, ndërsa 90 për qind e tyre tanimë ishin regjistruar për t’u nisur, sipas faqes zyrtare të kësaj ministrie.

Dewi, punëtore në një kompani të telekomunikimit, tha se ndonëse ka pritur gjashtë vjet për të shkuar në haxhillëk, ajo është pajtuar me vendimin për anulimin e pelegrinazhit. “Nëse ky është vendimi, unë do ta pranoj atë. Mbi të gjitha, unë besoj se gjithçka ndodh me lejen e Zotit”, tha ajo.

Komento: