Shteti i Kosovës dështon edhe në certifikata dhe si pasojë e kësaj qytetarët nuk mund të furnizohen me certifikata të gjendjes civile në Komunat e tyre përkatëse.
Zyrat e Gjendjes Civile në vend kanë mbetur pa certifikata. Ndonëse ishte shpallur tenderi në vlerë mbi 1 milion euro për furnizim me rreth 600 mijë certifikata të tilla, ende nuk është zgjedhur kompania që do të pajisë zyrat me dokumente të Gjendjes Civile. E në mungesë të këtyre certifikatave, lëshimi i dokumenteve do të bëhet me letër të bardhë. Por, problem do të kenë qytetarët që aplikojnë për vizë, meqenëse këto certifikata mund të shfrytëzohen vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Mbi 1 milionë euro ishin paraparë të shpenzoheshin nga buxheti i shtetit për të furnizuar Zyrat e Gjendjes Civile në vend me certifikata. Më gjithë këto para ishin planifikuar që të blihen rreth 600 mijë certifikata të tilla.
Furnizimi me këto kontrata planifikohej të bëhej për 36 muaj, derisa afati i fundit për dorëzim të ofertave për tender është 6 maji i këtij viti. Por, edhe pse u shpall tenderi e besohej se këtij problemi po i vinte fundi, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Gjithë kjo pasi që kompania që do të furnizojë këto zyre me dokumente të tilla, ende nuk është përzgjedhur.
Dje, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se tenderi i shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, dhe si pasojë ka dështuar furnizimi me certifikata në të gjitha Komunat.
Zyrtarë të kësaj komune kishin deklaruar se me certifikatat që kishin, shërbimet do të mund të ofroheshin vetëm deri në orën 12:00, dhe se pas kësaj ore, zyret e Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës nuk do të mund të ishin funksionale.
Nuk vonoi shumë e reagoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil(ARC).
Por, në këtë institucion nuk kanë njoftuar nëse është anuluar tenderi, vetëm kanë deklaruar se për arsye procedurale ende nuk është përzgjedhur operatori për furnizim me këto dokumente.
Një njoftim i tillë nuk figuron as në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), e as në atë të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
E në mungesë të certifikatave, ARC’ja ka kërkuar nga të gjitha Zyrat Komunale të Gjendjes Civile në Kosovë që në mungesë të formularëve të përdorën metodat alternative.
Agjencia ka njoftuar gjithë zyret që të fillojnë me lëshimin e dokumenteve me letër të bardhë nga sistemi i gjendjes civile, deri në një njoftim tjetër.
“ARC u ka dërguar një njoftim të gjitha zyrave të gjendjes civile, që në mungesë të formularëve(dokumenteve të gjendjes civile), me qëllim të realizmit të drejtave të qytetarëve për pajisje me dokumente të gjendjes civile, nga sot më datë 28.03.2019, të fillohet me lëshimin e dokumenteve me letër të bardhë nga sistemi i gjendjes civile, deri në njoftimin tjetër”, thuhet në komunikatën e këtij institucioni drejtuar mediave.
Por, si gjithmonë, pasojat e anulimit të këtij tenderi do t’i vuajnë qytetarët e vendit.
Gjithë kosovarët të cilët planifikojnë të aplikojnë për ndonjë vizë në ndonjë prej ambasadave të huaja që gjenden në Kosovë, do të kenë probleme, meqenëse certifikatat që lëshohen në letër të bardhë mund të shfrytëzohen vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
“Këto dokumente do të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatën e ARC’së.
Në bazë të njoftimit të publikuar në KRPP, këto furnizimi me këto kontrata planifikohej të bëhej për 36 muaj, derisa afati i fundit për dorëzim të ofertave për tender ishte 6 maji i këtij viti.