Shteti pagoi gati 470 mijë euro rroga për 61 punëtorë të ministrisë së Mjedisit pa shkuar në punë

14:05 | 19 Qershor 2026
shteti-pagoi-gati-470-mije-euro-rroga-per-61-punetore-te-ministrise-se-mjedisit-pa-shkuar-ne-pune

Shteti ka paguar gati 470 mijë euro rroga për 61 punëtorë të cilët nuk kanë dalë fare në punë në vitin 2025.

Këto pagesa nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë evidentuar nga auditimi i ZKA-së, si një çështje e përsëritur, por për të cilën nuk është ndërmarrë asnjë masë.

 “Punonjësit e angazhuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit nuk janë të sistemuar në pozita të rregullta dhe, sipas të dhënave të disponueshme, nuk ushtrojnë aktivitet në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në total, janë 61 punonjës në këtë kategori.

Gjatë vitit 2025, për këta punonjës janë realizuar pagesa në vlerë prej 469,885€. Megjithatë, nuk janë ofruar dëshmi për vijueshmërinë në punë apo për angazhimin e tyre.” – thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas raportit, kjo çështje paraqet sfidë për ministrinë në sistemimin e këtyre punonjësve në pozita dhe hapësira të përcaktuara pune, për shkak të mungesës së objektivave të qarta të punës, si rrjedhojë e së cilës ata nuk janë të angazhuar në aktivitete konkrete, transmeton Klankosova.tv

“Pagesat e realizuara në mungesë të evidencave për vijueshmëri dhe angazhim në punë janë shpenzime të paarsyetuara dhe ndikojnë negativisht në transparencë dhe llogaridhënie.” – thuhet tutje në raport./KK

Komento: