
Nëpërmjet Agjencisë Qendrore të Prokurimit, institucionet e Republikës së Kosovës kanë shpallur tenderin gjigant të furnizimit me 106 vetura.
Bëhet fjalë për tenderin me vlerë të parashikuar prej 2 milionë e 738 mijë eurosh, i cili është paraparë të ndahet në 5 lote.
Loti i parë, që synon furnizimin me 7 vetura, parashikohet të arrijë vlerën 126 mijë euro, teksa loti i dytë dhe më i madhi, me vlerë të parashikuar prej 1 milionë e 464 mijë eurosh, do të siguronte 61 vetura.
Loti i tretë parashikon blerjen e 21 veturave me vlerë të përafërt prej 520 mijë eurosh, sakaq me të katërtin synohet blerja e 13 veturave me vlerë afro 272 mijë eurosh.
Loti i pestë dhe i fundit përfshin 4 vetura në vlerë të përafërt prej 240 mijë eurosh.
Në dosjen e plotë të siguruar nga IndeksOnline bëhen të ditura edhe specifikat e veturave të cilat synojnë të blihen nga institucionet shtetërore.
Të gjitha automjetet duhet të jenë të reja, me zero kilometrazh të kaluar dhe prodhim jo më i vjetër se viti 2025.
Në thirrje bëhet e ditur se duhet të ofrohet garanci e plotë 2 vjet ose 105 mijë kilometra, duke përfshirë serviset dhe riparimet, që nuk mbulohen nga sigurimi.
Automjetet duhet të dorëzohen me 8 goma (4 verore dhe 4 dimërore).
Ngjyrat e lejuara janë e bardhë metalike, e zezë metalike ose gri metalike. Ndërsa, për Ministrinë e Mbrojtjes kërkohet ngjyra jeshile ushtarake (Olive Green).
Operatorët ekonomikë që synojnë të konkurrojnë duhet të dëshmojnë përvojë paraprake në furnizim me automjete gjatë tri viteve të fundit, të kenë autorizim nga prodhuesi ose distributori i autorizuar për shitje dhe servis në Kosovë, si dhe të paraqesin katalogë teknikë dhe dokumentacion të detajuar për automjetet e ofruara.
Automjetet, të ndarë në lotët 1, 2, 3, 4 dhe 5, do të jenë në shërbim të institucioneve si në vijim:

“Afati i fundit për dorëzimin e makinave është 90 ditë nga data e porosisë së Autoritetit Kontraktues. Në rast të ndryshimit të dimensioneve nga prodhuesi, ato do të pranohen me dimensionet e reja, por Modeli duhet të jetë i njëjtë.
Ndërsa në rast se gjatë kohëzgjatjes së kontratës ka një ndryshim në fuqinë dhe kapacitetin e motorit, makinat me specifikimet e reja të ofruara nga prodhuesi do të pranohen, por mbetet përgjegjësi e menaxherëve të kontratës nga Autoriteti Kontraktues të sigurohen që makina që ata pranojnë është e njëjtë dhe është vetëm versioni i ri ose gjenerata e re dhe në rast se menaxheri nuk e konsideron makinën me ndryshimet e reja të nevojshme, ai ka të drejtë të anulojë porosinë dhe AK-ja nuk do të ketë asnjë detyrim ndaj kontraktorit” thuhet mes të tjerash në dosjen e tenderit.
Numri real i automjeteve mund të mos mbetet 106. Kjo pasi dosja parasheh një devijim të lejuar deri në 30%, që do të thotë se gjatë zbatimit të kontratës mund të porositen më shumë ose më pak vetura, varësisht nga nevojat e institucioneve.
Ndonëse nuk janë bërë të ditura markat e veturave, tiparet e atyre që po kërkohen përshkruajnë specifikisht vetura sedan ose hatchback me motor benzinë ose hibrid, me fuqi dhe dimensione minimale të caktuara.
Në disa lote kërkohen SUV ose crossover, me hapësirë më të madhe dhe pajisje shtesë sigurie.
Procesi i përzgjedhjes së kompanive fituese të tenderit dhe nënshkrimi i kontratave parashikohet të zgjasë disa muaj, meqë afati për dorëzim të ofertave do të jetë i hapur deri në fillim të gushtit.