Lufta në Ukrainë ka bërë që të shtrenjtohen shumë materiali ndërtimor.
Ata që kanë blerë banesa e materiale ndërtimore para se të fillonte lufta në Ukrainë, i kanë kursyer vetes mijëra euro.
Pas luftës në Ukrainë, ndërtimtarët po përballen me rritje të çmimeve të materialeve ndërtimore.
Faton Hoxha nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ka thënë se krahasuar me vjet, çmimet janë rritur deri në 60 përqind.
“Çmimet në raport me vitin paraprak janë rritur deri në 60%. Shumica e materialeve të ndërtimit tregtohen në bursa, dhe rritja e çmimit të të njëjtave në bursa botërore ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit te ne”, ka deklaruar Hoxha.
E shtrenjtimi i këtyre materialeve ka ndikuar direkt edhe në rritjen e çmimit të banesave në vend.
Sipas Hoxhës, çmimi për metër katror është rritur në mbi 200 euro.
Mesatarja e çmimit të një metri katror në Prishtinë thotë se tash është 1 mijë e 300 euro.
“Mesatarja e çmimit të banesave në Prishtinë ka qenë 1070€/m2, tani është diku të 1300€/m2. Sa i përket rritjes së mëtutjeshme të çmimeve, ne nuk e dimë e as nuk mund të ndikojmë në to”, ka thënë Hoxha, ditë më parë.