Shtrihet në spital Sylejman Selimi, i përkeqësohet gjendja shëndetësore

23:43 | 07 January 2019

Para tri ditësh është shtrirë në spital ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimit.

Selimi është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare dhe si pasojë nuk dihet nëse mund të merret në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Selimi, i cili po vuan dënim me burg për rastet Drenica 1 dhe 2 në Qendrën Korrektuese të Kosovës, është shtrirë në spital prej tri ditësh në dy periudha. Insajderi ka mësuar nga burimet se ish-komandanti i UÇK-së është shtrirë fillimisht në QKUK para tri ditësh, për të rikthyer një ditë në burg dhe pastaj sërish në QKUK – ku është duke u trajtuar ende.

Kontakti me zëdhënësin e QKUK-së, Shpend Fazliu, ka qenë i pamundur të realizohet sot në mbrëmje. Informata nuk kanë dhënë as zyrtarë të tjerë të QKUK-së.

E si pasojë e problemeve shëndetësore, Selimi nuk dihet nëse do të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i kishte dërguar ftesë për intervistim ish-komandantit të UÇK-së në fund të vitit 2018.

Burimet i kanë thënë se Selimi intervistimi i Selimit nuk ishte planifikuar të ndodhë në Hagë, por në Kosovë. Intervistimi i tij ishte planifikuar të bëhej gjatë javës së dytë të janarit, kishin raportuar mediet javën e kaluar.

Selimit, gjatë kohës sa po shërbente si Ambasador në Tiranë, EULEX-i i ngriti aktakuza për krime lufte, në dy rastet e njohura si “Drenica” 1 dhe 2.

Në fund të dy proceseve, ish-Komandanti i Përgjithshëm i FSK-së u dënua më 14 vjet dënim unik, për të dy rastet; për krime lufte ndaj popullatës civile.

Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, rast në të cilin Gjykata e Apelit, Sylejaman Selimit i kishte vërtetuar 6 vite burgim për “Tortura ndaj civilëve”.

Ndërkohë, Supremja, në shtator të 2018, për të dytën herë Sylejman Selimit i vërteton dënimin unik prej 7 vite burgim për krime lufte, në Drenica 2.

Komento: