Shtyhen zgjedhjet në Veri, pritet të mbahen në muajin prill.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se është marrë vendim për shtyrje të zgjedhjeve. Ajo ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në muajin prill, derisa data e saktë do të bëhet publike nesër.
“Diskutuam rreth datës më të përshtatshme dhe kohës së përshtatshme dhe në fund me konsensus të plotë, pas propozimit tim erdhëm në konkluzion që të shtyhen për muajin prill të vitit 2023, kurse data e saktë e muajit prill, sonte ose më largu nesër në mëngjes do t’i tregohet publikut”, ka deklaruar presidentja e Kosovës.
E para e shtetit ka treguar se vendimi për shtyrje ka ardhru edhe pas bisedave që ka pasur me zyrtarë të BE-së.
“Duke u bazuar në zhvillimet dua të ju njoftoj qe kam pasur kontakte edhe me institucione të BE-së dhe më kanë thënë që nuk do të marrin pjesë për vëzhgim për shkak të kohës së shkurtër. Bazuar në këto vlerësime propozimi ishte që të shtyhen zgjedhjet për kryetarë komunash. Erdhëm në përfundim të shtyhet për në prill”, ka thënë ajo para gazetarëve.
Shtyrja e zgjedhjeve vjen pas situatës së tensionuar në veri të Republikës së Kosovës.