
Është shtyrë deri më 15 maj të vitit të ardhshëm afati i aplikimit të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Presidentja Vjosa Osmani, ka njoftuar për shtyrjen e afatit, përderisa u ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Gjithashtu ajo shprehet edhe se e vërteta duhet të dëgjohet dhe se qytetarët nuk do të jenë të vetëm në këtë rrugëtim por do të kenë mbështetjen e shtetit.
“Të nderuara bashkëqytetare e bashkëqytetarë, në përputhje me ligjin Republika e Kosovës ka shtyrë afatin për aplikim të njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës deri më 15 maj 2025. Zëri juaj ka rëndësi dhe e vërteta duhet të dëgjohet. Guximi juaj në kërkim të drejtësisë e në zbardhjen e së vërtetës është një dëshmi e shpirtit tuaj të paepur. Ne qëndrojmë me ju dhe pranë jush në ndjekjen e drejtësisë. Në këtë rrugëtim ju asnjëherë nuk do të jeni vetëm. Prandaj aplikoni për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës”, u shpreh Osmani.