ATK po heton keqpërdorime e mundshme, shtyhet ekzekutimi i pagesave emergjente për punëtorët.
Ekzekutimi i pagesave prej 170 euro nga Pako Emergjente Fiskale, për muajin prill do të shtyhet për shkak të rritjes së numrit të atyre që kanë aplikuar.
Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu, tha se numri i parashikuar prej 120 mijë punëtorëve që do të mbesin pa paga, është rritur në 170 mijë.
Ai tha se komisioni i ATK-së është duke verifikuar këto keqpërdorime, andaj mjetet e parapara të ndahen me pagën e muajit maj do të vonohen.
Por, tha ai se pasi të aprovohen në komision këto verifikime në mënyrë automatike do të bëhen pagesat.
“Pako ka filluar të ekzekutohet më herët dhe është një vazhdimësi, deri me tani janë ekzekutuar 37 milionë euro. Ka pasur një numër të madh të tyre të cilët kanë aplikuar. Ne kemi paraparë sipas ndalesave që kemi bërë, 90 mijë punëtor do të jenë të afektuar sipas kodeve që nuk do t’i vazhdohet puna. Në mënyrë indirekte disa të tjerë ku shuma e paraparë prej 120 mijë punëtorë të mbesin pa paga për shkak ndalesave, fatkeqësisht ky numër është rritë 170 mijë punëtor të cilët kanë aplikuar”.
“Është për të ardhur keq që ka të tillë të cilët kanë provuar që në mënyrë jo të drejt të përfitojnë nga masat në këtë kohë të pandemisë. Kjo e ka ngadalësuar punën e komisionit të ATK-së i cili është duke proceduar një numër të madh të kërkesave. Pasi të aprovohen në komision ato dërgohen në thesar dhe në mënyrë automatike bëhet pagesa”, ka thënë Aliu.
Me tej, zëvendësministri Aliu foli edhe për dëmet që ia ka shkaktuar Coronavirusi vendit, edhe pse tha se është herët të flitet për shifra të sakta.
Por tha ai se sipas analizës së indikatorëve, vendi ka pësuar humbje ditore 5 deri në 6 milionë euro, e jo 10 milionë euro në ditë sa është raportuar, raporton EO.
“Është herët të thuhet se sa janë dëmet të cilat janë shkaktuar nga pandemia, sigurisht kjo ka ndikuar në të hyrat e shtetit. Po dëgjoj raste të ndryshme ku rritet numri deri në 10 milionë ku humbjet ditore parashihet të jenë. Nuk pajtohem me prognozë të tillë, sepse ne e dimë që të hyrat nga dogana kanë rënë deri në 40 milionë, të hyrat e ATK-së janë shtyrë për një kohë që do të inkasohen më vonë”.
“Konsumi i energjisë elektrike për industrinë ka rënë për 29 për qind kurse është ngritë për amvisërinë për 14 për qind”.
“Kur analizojmë të gjithë indikatorët, mund të supozojmë se kemi rënie ekonomike, por jo saktësisht. Humbjet ditore kanë qenë 5 deri në 6 milionë jo më shumë”, u shpreh Aliu.