Shtyhet kampionati i futbollit në Kosovë.
Edicioni i ri i futbollit në Kosovë nuk do të fillojë më 12 shtator, ashtu siç kishte paraparë Federata e Futbollit të Kosovës.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, të martën për Kohën ka bërë të ditur se sot është mbajtur takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe krerët e Institutit të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).
Salihu ka treguar se u është sugjeruar që të shtyhet fillimi i stinorit për javën e ardhshme. Vendimi për lejimin e aktiviteteve sportive pritet të merret në Qeverinë e Kosovës pasi të kthehet kryeministri Avdullah Hoti nga Brukseli.
“Ishim në takim të gjerë bashkë me ministrinë e Shëndetësisë, IKSHPK-në, policinë e Kosovës. U diskutua për gjitha gjërat dhe na u tha se duhet pritur një vendim nga kryeministri i vendit në mbledhje të qeverisë. Ne presim që vendimi të merret deri në fund të javës për të filluar garat zyrtare. Zyrtarisht jemi obliguar ta shtyjmë fillimin e edicionit dhe menjëherë do t’i njoftojmë klubet për t’i vazhduar përgatitjet. Instituti ka dhënë leje dhe sugjerime, por mbetet te qeveria e vendit. Por, na u tha se do të ketë kontroll të rreptë dhe pa shikues. Hapja e tribunave me shikues në numër të kufizuar do të bëhet me kalimin e kohës. Ne besojmë se qeveria do të marrë vendim të lejoj aktivitetet sportive”, ka thënë Salihu.