Plani i Kurtit për mirëqenien sociale nuk nis këtë vit.
Qeveria Kurti, para disa ditëve ka miratuar Programin qeverisës 2021 -2025 nëpërmjet të cilit ka paraqitur vizionin e saj për qeverisjen gjatë mandatit katërvjeçar. Por, i gjithë vizioni qeverisës do të nisë të jetësohet nga ky vit.
Në planin e vet Qeveria e Kosovës synon të sigurojë mirëqenie nëpërmjet mbështetjes së grupeve të cenuara dhe ristrukturimit të skemave sociale dhe pensionale me qëllim zbutjen e varfërisë dhe rritjen e aktivitetit në tregun e punës.
Por, nuk ka një datë se kur do të ndodhë ridizajnimi i politikave sociale, shkruan lajmi.net. Këtë nuk e dinë as dikasteret përkatëse qeveritare që janë të thirrura të zbatojnë planin e qeverisë.
Tek sektori i mirëqenies sociale, premtimi i qeverisë është se do të fillojë zbatimin e Programit të shtesave për fëmijët, ku fëmijët nën moshën 2 vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove, kurse për fëmijët nën moshën 16 vjeçare, do të përfitojnë 10 euro në muaj.
Po ashtu, aty thuhet se do të ndryshohet pushimi i lehonisë dhe ai prindëror, duke u siguruar që këtë mundësi ta kenë të dy prindërit. Ndërsa, për nënat që janë të papuna për 6 muajt e pushimit të lehonisë, do të paguajmë pagën minimale prej 250 eurosh.
Muharrem Shahini, drejtor në zyrën për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nuk ka mundur të jep një datë se kur do të fillojë se zbatuari kjo pikë e planit të qeverisë.
“Për të gjitha politikat e reja, përshirë këtu ridizajnimin e politikave fiskale, skemën e shtesave për fëmijë dhe pushimin e lehonisë, zbatimit do t’i paraprijë përgatitja për dizajnimin dhe operacionalizimin e skemës/politikës specifike, dhe kjo do të bëhet në tandem edhe me krijimin e hapësirës fiskale për mbulimin e kostos. Për të gjithë këta hapa, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të njoftojë publikun me kohë”, ka thënë Shahini.
Varësisht nëse është në përgatite ose jo dizajnimi dhe operacionalizimi i skemës/politikës specifike, krijimin i hapësirës fiskale për mbulimin e kostos nuk do të bëhet në këtë vit, në mungesë të buxhetit, ka mësuar lajmi.net.
Buxheti për vitin 20121 është në ekzekutim e sipër. Pas pak ditëve, Qeveria Kurtit do ta dërgojë buxhetin e vitit 2021 për rishikim në Kuvendin e Kosovës.
Mësohet se në rishikim prioritet për Qeverinë janë rialokimet e mjeteve për pandeminë COVID-19, dhe buxheti nuk do të ketë ndryshime të mëdha.