Shumë refugjatë po largohen nga Ukraina.
Afër 13,000 civilë ukrainas janë evakuuar përmes korridoreve humanitare gjatë së shtunës.
Ky numër i të evakuuarve është pothuajse dyfish më i lartë krahasuar me një ditë më parë.
Përmes një mesazhi të postuar online, zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk tha se ende askush nuk ka arritur të largohet nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.
Ajo fajësoi forcat ruse për mosevakuimin e banorëve të këtij qyteti në jug të Ukrainës.
Më herët, Moska akuzoi forcat ukrainase se me qëllim nuk po lejojnë që qytetarët e Mariupolit të evakuohen. Autoritetet lokale të Mariupolit kanë thënë se një konvoj me ndihma humanitare dhe autobusë për të evakuuar qytetarët është nisur nga Zaporizhja rreth tetë orë më parë, por ende nuk kanë informacione se ku gjendet aktualisht ky konvoj.