Barcelona-Almeria, pak rivalitet e shumë emocione sonte në “Camp Nou”.
Do të jetë një natë emocionuese sonte në “Spotify Camp Nou”.
Barcelona do të përballet me Almerian në kuadër të javës së 13-të, shkruan Gazeta Express.
Nuk pritet të ketë rivalitet në këtë takim, por një gjë tjetër do të jetë prioritet, sidomos për katalonasit.
Gerard Pique e luan ndeshjen e tij të fundit sonte. Qendërmbrojtësi spanjoll papritmas njoftoi pensionimin e tij në mesjavë.
Në moshën 35-vjeçare, Pique do t’i thotë mjaft futbollit, pasi fitoi gjithçka çka mund të fitohet me Barcelonën.
Pique erdhi nga akademia e Barcelonës, teksa pati një aventurë katërvjeçare në Manchester United, për t’u kthyer në “Camp Nou” në vitin 2008.
Me Barcelonën, legjenda e këtij klubi numëron më shumë se 600 ndeshje, ku ka fituar 30 trofe, përfshirë tetë tituj të La Ligas, tri Liga të Kampionëve dhe shtatë Kupa të Mbretit.
Ai është pensionuar nga Kombëtarja e Spanjës në vitin 2018, pas 102 paraqitjeve, ku fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Evropian dy vite më vonë.
Këtë sezon, Pique ishte zgjedhja e pestë në qendër të mbrojtjes për katalonasit dhe minutazha e tij ishte mjaft e vogël.