Shumë protestues në Gjeorgji kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia

22:07 | 25 February 2022

Shumë njerëz janë kundër luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Rreth 30.000 persona u mblodhën në kryeqytetin e Gjeorgjisë të premten në shenjë solidariteti me ish-vendin tjetër sovjetik, Ukrainën.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
Protestuesit në Tbilisi kujtojnë pushtimin e vendit të tyre nga Rusia më 2008.

“Ne kuptojmë ukrainasit, ndoshta më shumë se çdo vend tjetër, sepse ne e kemi parë agresionin barbar rus në tokën tonë”, tha një protestues 32 vjeçar për AFP’në.

“E gjithë bota duhet t’i rezistojë Putinit i cili dëshiron të rikthejë Bashkimin Sovjetik”, tha një 55 vjeçare.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, ka shprehur solidaritetin me Ukrainën, dhe i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë armiqësitë.

Por kryeministri, Irakli Garibashvili, shkaktoi pakënaqësi kur njoftoi se Tbilisi, s’do t’i bashkohet sanksioneve ekonomike dhe financiare që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë.

Në muajin gusht të vitit 2008, Rusia nisi një sulm tokësor kundër Gjeorgjisë, e cila po luftonte me milicinë pro-ruse në rajonin e saj separatist të Osetisë së Jugut.

Luftimet përfunduan pas vetëm pesë ditësh me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, por morën më shumë se 700 jetë dhe shpërngulën dhjetëra mijëra gjeorgjianë.

Pas luftës që la të ndarë Gjeorgjinë, Rusia njohu Osetinë e Jugut dhe një rajon tjetër separatist, Abkhazinë, si shtete të pavarura dhe vendosi trupa atje përgjithmonë.

Falënderime për popullin e Gjeorgjisë ka shprehur edhe presidenti i Ukrainës, Zalensky.

Komento: