Pamje nga veriu: Numër i madh i veturave me targa të Serbisë pa afishe.
Janë publikuar pamje ekskluzive të veturave me targa të Serbisë, elementet shtetërore të të cilave nuk janë mbuluar me afishe, ashtu siç kërkon pika e dytë e marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë.
Pamjet, të shpërndara ekskluzivisht në emisionin ‘Pressing’ në T7, tregojnë vetura të shumta me elementet e pambuluara shtetërore, shkruan Gazeta Express.
Autoritetet e vendit, përfshirë edhe shefi i misionit të EULEX’it, Lars-Gunnar Wigemark, kanë thënë se marrëveshja po zbatohet.
Në marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë paraparë tri pikat në vijim për zbatim:
1. Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.
2. Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.
3. Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.
Për momentin, janë të zbatuara dy nga tri pikat e parapara.