
Anëtari i organizatës GERMIN, Lirim Krasniqi në Gazeta tha se një pjesë e madhe e votuesve të diasporës janë aktivistë ose persona të përfshirë në strukturat e partive politike, gjë që sipas tij e bën më të vështirë ndryshimin e orientimit të tyre elektoral.
Krasniqi tha se kjo reflektohet edhe në rezultatet zgjedhore të viteve të fundit, ku vota e diasporës ka pasur prirje të qartë politike.
“Kryesisht janë aktivistë ose persona që janë anëtarë të strukturave të partive politike. Pra, me e lidh këtë me rezultatin e zgjedhjeve, i bie që ndryshimi i votës së tyre bëhet më i vështirë, sepse është më e vështirë të ndryshohet një aktivist partie sesa një qytetar që nuk është pjesë e asnjë partie politike”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, edhe subjektet politike tashmë e kanë të qartë orientimin e votuesve nga diaspora.
“Si duket edhe partitë e kanë të qartë se ku orientohet votuesi i diasporës dhe ku e orienton votën. Rezultati tregon që të paktën në tri palë zgjedhjet e fundit kjo ka qenë shumë e dallueshme përmes rezultatit të tyre”, u shpreh Krasniqi.
Ai theksoi se vota e diasporës po vazhdon të mbetet faktor i rëndësishëm në proceset zgjedhore në Kosovë, sidomos pas mobilizimit të lartë të viteve të fundit.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/nngOb_0AEkg