Ish-kryeshefi i PTK-së, Shyqiri Haxha, ka dëshmuar sot para Komisionit Hetimor për PTK-në.
Ai ka thënë se në kohën kur ka ardhur në krye të këtij institucioni, çështja me Z-Mobile veçse ka qenë “punë e kryer”.
“Çdo gjë ka qenë e përfunduar. Kur kam ardhur në Kosovë nuk e kam njohur askënd, njerëzit e parë qe i kam takuar janë anëtarët e Bordit. Unë nuk e kam njohur mentalitetin këtu. Kam kërkuar t’i di përgjegjësitë e mia”, ka thënë Haxha, raporton Koha Ditore.
Që në ditën e parë ka thënë se ka kërkuar nga menaxherët që t’ia përpilojnë një dokument konfidencial dhe ta njoftojnë se çfarë ka në këtë kompani.
“E kam marrë atë dokument, por asnjë njeri nuk më ka thënë se ka ndonjë problem”, ka thënë ai.
Haxha ka thënë se nuk ka bërë kompromis me askënd.
“As nuk kam marrë pjesë në tendere, as nuk kam kërkuar para e as nuk kam jep para…Bordi më ka thënë se institucioni është para kolapsit, pasi nuk është nënshkruar asgjë. Iu kam thënë se do ta nënshkruaj çdo dokumentacion që është në rregull. Sa i përket kontratës me Z-Mobile, kam kërkuar që ta takoj përfaqësuesin amerikan para nënshkrimit. Krejt këto që po i them, i kam thënë edhe në intervistë kur jam pyetur nga EULEX-i, gjë që edhe jam shpallur i pafajshëm”, ka shtuar Haxha.
Ai ka thënë se do t’ia ofrojë komisionit një dokumentacion, i cili ka thënë se deri më tani nuk e ka bërë publike.
Ndër të tjera, Haxha ka thënë se tri herë është kërcënuar me vrasje. Sa i përket bordit, ka thënë se ka pasur më vonë presione prej tij.
“Nuk ka mundur njëri i gjallë ta ndalë kontratën me Z-Mobile. Kjo nuk ka ndodhur veç rastësisht. Kryetari i bordit ka qenë Rexhë Gjonbalaj. Kjo kontratë është përdorur si biletë për të hyrë ne PTK, për të bluar. Aty ka grupe kriminale që veprojnë”, ka thënë Haxha.
Haxha ka thënë se në PTK ka kontrata që janë krejtësisht në rregull, por se “grupet kriminale, hajnia i shkatërrojnë”.
Haxha ka thënë se vlera e kompanisë është dëmtuar nga politikanët.
“Kam pasur presione nga ministrat e linjës, ish-ministri i Financave Ahmet Shala dhe atëherë e tash ministër në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj. Çdo gjë është e lidhur me politikën këtu”, ka thënë ai