Si arriti t’i tërhiqte mjetet e tij nga Trusti Pensional, tregon Bekim Haxhiu

20:54 | 20 Gusht 2020

Haxhiu ka treguar se si ka arritur t’i tërhiqte mjetet e tij nga Trusti Pensional.

Tërheqja e kursimeve pensionale i garantohet invalidëve të luftës me Ligjin për Trustin Pensional.

Këtë të drejtë e ka shfrytëzuar vitin e kaluar edhe Bekim Haxhiu, deputeti i Kuvendit të Kosovës, i cili është invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pak para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, Haxhiu tërhoqi 27 mijë e 345 euro nga Trusti, ka bërë të ditur deputeti në deklarimin e pasurisë për vitin 2020.

Në formularin që Haxhiu ka dorëzuar pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion këtë vit, nënvizohet se ai ka tërhequr këto mjete financiare më 30 gusht të 2019-s.

Në një prononcim për Insajderin të enjten, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës nga Skenderaj ka deklaruar se mjetet financiare të cilat i ka tërhequr nga Trusti Pensional i janë garantuar me ligj.

“Të gjithë invalidët e luftës kanë pasur të drejtë me tërhjek trustin, sepse prej miratimit të Ligjit në vitin 2015 trusti iu është ndalur gabimisht”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndër të tjera, Haxhiu ka deklaruar se “jo vetëm unë por të gjithë invalidët e luftës kanë tërhjekur trustin sepse ata e kanë pensionin invalidor dhe pagesa për trust është e panevojeshme, këtë ua garanton ligji”.

Mjetet financiare që i nxorri nga Trusi, ai ka deklaruar se i ka përdorur për fushatë zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare, si dhe për çështje humanitare e për nevoja familjare.

“Këto mjete financiare i kam shfrytëzuar për pagesen/ shlyerjen e borgjit prej 10.000 euro si dhe një pjesë të shumës e kam përdorur për fushatë zgjedhore, pastaj për qështje humanitare dhe nevoja familjare”, ka deklaruar Haxhiu.

Komento: