Kosova pritet të përballet me krizë të madhe ekonomike nga COVID-19.
Parashikimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë për efektet që do t’i ketë pandemia e koronavirusit në ekonomi janë më të zymtat që kanë qenë ndonjëherë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të publikuar së voni, thotë se situata më shqetësuese pritet të jetë në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim.
Raporti i FMN-së vë në pah se, përkundër përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për t’i lehtësuar këto pengesa, këto shtete do të duhet t’i përqendrojnë shpenzimet drejt sektorit të shëndetësisë dhe, në të njëjtën kohë, t’i mbrojnë shërbimet kryesore publike: transportin, energjinë, komunikimet dhe mbrojtjen sociale.
“Teksa shtetet do të mundohen të ballafaqohen me pandeminë dhe izolimi të mbarojë, stimujt fiskalë, të koordinuar në varësi të kufizimeve financiare të vendeve, do të bëhen një mjet më efektiv për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike”.
“Kur kriza me virusin të jetë tejkaluar dhe njerëzit të nisin të kthehen në punë, një stimul fiskal i gjerë bëhet edhe më efektiv. Varësisht nga qasja në tregje dhe disponueshmëria e hapësirave fiskale, një stimul i tillë fiskal me bazë të gjerë mund ta lehtësojë rimëkëmbjen”, thuhet ndër të tjera në raportin e FMN-së.
Edhe Kosova pritet të pësojë tronditje ekonomike pas përfundimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.
Deri më tani nuk ka ndonjë të dhënë të saktë se sa është prekur ekonomia e Kosovës nga masat që ka marrë qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, por nga parashikimet e bëra të institucioneve dhe ekspertëve, bëhet fjalë për dëme të mëdha.
Humbjet e mëdha ekonomike do të kërkojnë strategji adekute të rimëkëmbjes, thonë ekspertë të fushës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, duke iu referuar një hulumtimi të bërë nga kjo shoqatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet e shkaktuara nga masat e marra nga qeveria, kanë prekur pothuajse të gjitha bizneset – edhe ato që nuk janë mbyllur.
Shumica e bizneseve, shton ai, kanë pasur humbje financiare, humbje të kapaciteteve prodhuese, si dhe mungesë të likuiditetit.
“Ne jemi në një fazë me shumë të panjohura, nuk mund të japim vlerësime të sakta, por ajo që na duhet, është një strategji dalëse, një plan i hapjes së ekonomisë, në veçanti duke filluar nga fillimi i majit, kur pak a shumë pritet një rivlerësim i këtyre masave. Dhe pastaj, konform atij plani për rihapje të ekonomisë, të merren edhe masat tjera që e nxisin ekonominë dhe e mbajnë ekonominë në një dinamikë që garanton ruajte të punësimit, ruajtje të konsumit dhe ruajtje të funksionalitetit të bizneseve”, thotë Rukiqi.
Hapi i dytë që duhet bërë, shton Rukiqi, është që sapo të krijohet një situatë normale, me një kontroll mbi pandeminë, të shikohet çdo sektor për dëmet reale dhe pastaj të hartohet një plan i transformimit të ekonomisë.
Borxhi publik – mundësi për shpëtimin e ekonomisë
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet një program profesional, që ekonomia të rimëkëmbet më shpejt pas pandemisë.
Mundësia më reale për këtë, sipas Shatrit, është hyrja në borxh publik; në të kundërtën, shton ai, do të ketë probleme të mëdha.
“Dyzet për qind e borxhit publik në 7 miliardë është afër 3 miliardë. Ne, deri tani, i kemi 1.2 miliard euro borxh publik, që do të thotë se kemi mundësi edhe për 2 miliardë, pa i dëmtuar proceset zhvillimore dhe pa e rrezikuar stabilitetin makro- fiskal dhe të ekonomisë”, thotë Shatri.
BQK: Kosova ka borxhin më të ulët publik në rajon
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova mban pozitën e vendit me shkallën më të ulët të borxhit publik, krahasuar me vendet e rajonit.
Borxhi publik, sipas këtyre të dhënave, në vitin 2019 ka arritur në 1.2 miliard euro.
Nga kjo vlerë, më shumë se 721 milionë euro llogaritet borxh i brendshëm, kurse 409 milionë euro është borxh ndërkombëtar.
Në Ligjin për borxhet publike në Kosovë thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të bruto produktit vendor.
Borxhi i përgjithshëm përkufizohet si “tërësia e borxhit shtetëror dhe borxhit komunal, që merren në emër të institucioneve qendrore qeveritare, e që Republika e Kosovës është e obliguar ta paguajë”.
Për të hapur mundësinë e borxhit publik, ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, thotë se fillimisht duhen të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar gjendjen e ekonomisë.
“Por, para kësaj, duhet një përgatitje serioze profesionale për të gjitha veprimet që duhet të bëhen, çfarë kahu do t’iu jepet, në cilat pjesë duhet investuar, në çfarë kushtesh dhe çka dëshirojmë të synojmë me ristrukturim të ekonomisë. Duhet t’i jepet përparësi prodhimit, përmirësimit të balancës tregtare me jashtë, që të ndikojë në rritje të punësimit dhe ulje të varfërisë”, thotë Shatri.
Sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë, për të marrë hua ndërkombëtare, është i domosdoshëm miratimi nga Kuvendi i Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se përveç pakos emergjente, e cila është miratuar tanimë dhe ka vlerën e rreth 180 milionë eurove, do të ketë edhe një pako tjetër, e cila do të jetë vetëm për rimëkëmbje ekonomike, pas pandemisë.
“Qeveria në detyrë është duke e planifikuar pakon e dytë, atë të rimëkëmbjes ekonomike, e cila do të jetë shumë më e madhe se pakoja emergjente dhe do të ketë kohështrirje shumë më të gjatë”, ka thënë Kurti.
Ekonomia e Kosovës në vazhdimësi është përballur më nivel të ulët të zhvillimit.
Viti 2019 është përmbyllur me një rritje ekonomike prej 4.2 për qind, e cila vlerësohet se ka qenë e pamjaftueshme për të adresuar problemin e papunësisë, me të cilin përballen të rinjtë.
Papunësia në Kosovë është rreth 30 për qind dhe prek kryesisht të rinjtë.
Deficiti vjetor tregtar në Kosovë ka arritur në më shumë se 3 miliardë euro.