Si do të veproi Hoti me shkarkim-emërimet e Kurtit?

18:31 | 08 Qershor 2020

Çfarë do të bëjë Kryeministri Avdullah Hoti me shkarkim-emërimet e Albin Kurtit.

Kryeministri Avdullah Hoti nuk ka vendim të prerë se çfarë do të bëjë me shkarkimet dhe emërimet e Albin Kurtit në bordet e ndërmarrjeve publike.

Javën që shkoi, kur mori detyrën, ai tha se “nuk jemi për të shkarkuar njerëz”, por nëse ndodhë do të jetë në përputhje me ligjin.
Zyra e tij ka thënë Express se do të vlerësohen të gjitha vendimet dhe ku ka parregullsi e shkelje, do të merren masa.

Ish-kryeministri Albin Kurti periudhën 4 muajsh, sa ishte në pushtet, e ka shënuar me shkarkime masive, kryesisht të shefave ekzekutivë të ndërmarrjeve publike dhe bordeve të tyre.
Bordi i drejtorëve të Telekomit ishte shkarkuar derisa LDK’ja ishte akoma në koalicion qeverisës me Vetëvendosjen, ndërsa dhjetëra shkarkime të tjera janë bërë pasi ra Qeveria Kurti. Madje, një e shkarkoi disa orë para se të votohej qeveria e re me Avdullah Hotin. Partia e Isa Mustafës, dhe vetë kryeministri i tanishëm ka pasur kritika mbi mënyrat se si Kurti, si kryeministër në detyrë, po shkarkonte borde, e po i zëvendësonte ata.

Vetë Hoti javën e kaluar kur u zgjodh Kryeministër tha se nëse do të shkarkohet dikush do të ndodhë në përputhje me ligjin.

“Nuk jemi këtu për të shkarkuar njerëz, jemi për të krijuar vende të punës, por duhet t’i përfillim procedurat ligjore dhe nëse është e nevojshme të shkarkohen njerëz nga pozicionet që kanë, vetëm në përputhje me ligjin” tha Hoti në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zyra e Kryeministrit i ka thënë të hënën Gazetës Express se Qeveria do të shqyrtojë vendimet e ish-kryeministrit, e pastaj do të ndërmerr masa, aty ku vlerësojnë se ka parregullësi a shkelje ligjore e procedurale.

“Kudo që vërehen parregullsi, shkelje ligjore apo procedurale, do të merren hapa përkatës. Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë shumë e kujdesshme për vlerësimin e vendimeve të emërimit dhe shkarkimit të bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike nga qeveria e kaluar”, thuhet në përgjigjen e ZKM’së.
Është raportuar se disa prej të emëruarve në disa borde të përkohshme të kompanive publike janë aktivistë të Vetëvendosje, e ish-kryeministri Kurti i ka arsyetuar këto emërime duke thënë se të njëjtit janë ekspertë të fushave ku veprojnë dhe se janë përzgjedhje e përkohshme.

Zyra e Kryeministrit thotë se Hoti nuk ka për qëllim të shkarkojë njerëz që kanë përgatitje profesionale dhe janë emëruar në mënyrë meritore, megjithatë do të trajtohen emërimet që, sipas ZKM’së janë

“Nuk është përcaktim i Qeverisë së Kosovës shkarkimi i njerëzve të emëruar në borde sipas ekspertizës profesionale, por, sigurisht, nuk mund të lihen pa u trajtuar emërimet që kriter kryesor kanë pasur përkatësinë politike”.

Nga ana tjetër, të shkarkuarit e Kurtit janë ankuar në institucione të ndryshme. Inspektorati i Punës ia ka aprovuar ankesën kryeshefit ekzekutiv të shkarkuar të Telekomit, Bedri Istrefit, duke konstatuar se ka pasur shkelje në largimin e tij. Zyra e Hotit thotë se do t’i ketë parasysh vendimet e organeve si Inspektorati i Punës.

“Qeveria e Kosovës do t’i respektojë vendimet e organeve kompetente ligjore (Inspektoriati i Punës, gjykatat etj.) të thirrura për vlerësimin e ankimimeve të zyrtarëve të shkarkuar, nëse ato konstatojnë se ka pasur shkelje procedurale dhe ligjore me rastin e shkarkimit të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike”, thonë në ZKM.

Jemi të përkushtuar që procesi i emërimit të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike të depolitizohet tërësisht dhe në to të emërohen vetëm profesionistë

Kurti ka shkarkuar kryeshefat dhe bordet e ndërmarrjeve më të mëdha publike, përfshirë Telekomit, KEK’ut, Trepçës, Infrakosit, ujësjellësvje rajonalë, e shumë të tjerë.

Komento: