Si e parasheh ligji dhe a duhet kryeministri Kurti ta deklaronte, nëse fustani i vajzës iu bë dhuratë

17:56 | 17 July 2021

Si rregullohet me ligj, dhe a do të duhej kryeministri Kurti ta deklaronte, nëse fustani i vajzës iu bë dhuratë.

Huazim, dhuratë, dhuratë që s’u pranua. Këto janë tri versionet e deritanishme për fustanin 490-dollarësh, që vajza e kryeministrit të Kosovës e kishte veshur gjatë paraqitjes së djeshme në Festivalin e Filmit në Cannes të Francës. Nga Qeveria kanë thënë se është huazuar, vetë kreatorja e fustanit ka thënë se është dhuratë, derisa menaxherja e ateliesë “Matoshi” sot ka thënë se kanë dashur t’ia bëjnë dhuratë fustanin, por që familja Kurti s’ka pranuar.

Por si është e rregulluar çështja e dhuratave për zyrtarët publikë dhe a do të duhej ta deklaronte kryeministri Kurti, nëse fustani për vajzën i është bërë dhuratë, siç ka thënë dje vetë kreatorja Lirika Matoshi. Lidhur me këtë çështje për Express ka folur Ehat Miftaraj nga IKD.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se Ligji në Kosovë i rregullon procedurën dhe kriteret se në cilat raste një zyrtar i lartë publik mund të pranojë dhurata si dhe obligimin për t’i regjistruar dhe raportuar ato.

Për rastin e fustanit të vajzës së Kurtit, Miftaraj thotë se nëse Kurti e ka pasur për qëllim promovimin e punës së kreatores kosovare dhe grave që kanë punuar në fustan, mund të konsiderohet hap i drejtë i tij për t’i promovuar vlerat artistike të një artisteje kosovare.

“Në rastin konkret, nëse Kryeministri Kurti ka pasur për qëllim që ta promovojë punën e disenjatores kosovare dhe grave që kanë punuar në fustan, mund të konsiderohet si një hap i drejtë i Kryeministrit Kurti për t’i promovuar në këtë rast vlerat artistike të një artiste kosovare. Sidoqoftë, për të evituar çdo keqkuptim në publik, raste të tilla duhet të komunikohen paraprakisht në publik në mënyrë që publiku të ketë informacion të plotë”, ka thënë Miftaraj.

Por, edhe në këtë rast, thotë se Zyra e Kryeministrit do të duhej t’i informonte publikun dhe mediet për këtë e jo të dalë më pas me demantime, siç po bën zakonisht.

“Qeveria e ka Zyrën për Komunikim me Publikun, sikurse ka një numër të madh të këshilltarëve me media, të cilët duhet të kujdesen që komunikimi me media dhe publikun të jetë proaktiv, dhe të ndalet praktika ku kjo qeveri shumicën e kohës e kalon duke demantuar media dhe gazetarë në vend që të jetë transparente dhe llogaridhënëse, ashtu si e përcakton Kushtetuta dhe ligji”, ka deklaruar ai.

Miftaraj thotë se Kryeministri dhe Zyra e Kryeministrit do të duhej ta deklaronin këtë dhuratë para shkuarjes në Francë, edhe nëse e njëjta mund të ishte dhënë vetëm përkohësisht.

“Sipas ligjit, zyrtari nuk mund të marrë më shumë se një dhuratë në vit nga i njëjti person, apo institucion, sikurse nuk mund të pranojë dhurata monetare. Menjëherë pas pranimit, ose pas kthimit në vend, zyrtari duhet ta paraqesë dhuratën. Në rastin konkret, dhurata është marrë në Kosovë dhe Kryeministri dhe Zyra e Kryeministrit, para shkuarjes në Francë, do të duhej ta deklaronin këtë dhuratë edhe me kushtin që e njëjta mund të ishte dhënë vetëm përkohësisht”, thuhet në përgjigjet e Miftarajt për Gazetës Express.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Zyrës së Kryeministrit për të marrë një përgjigje sqaruese nëse fustani është dhuratë apo i huazuar, por sikur herave të tjera, as sot s’ka marrë përgjigje ( pyetjet janë dërguar në mesditë, dhe përgjigje nuk është kthyer deri në momentin e publikimit të tekstit)

Sipas Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, “personi zyrtar nuk mund të kërkojë ose të pranojë dhurata ose favore të tjera për vete, as për anëtarët e familjes, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë, ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe dhuratave të rastit”.

Në nenin 11 të këtij ligji thuhet se zyrtari duhet ta paraqesë dhuratën menjëherë pas pranimit ose kthimit në vend.

“Personi zyrtar duhet ta informojë me shkrim eprorin e tij, nëse i është ofruar ose dhënë një dhuratë pa paralajmërim dhe në rrethana specifike. Në rast se personi zyrtar është drejtues institucioni, ai duhet ta informojë Agjencinë”, parasheh ligji.

Pas diskutimeve të djeshme rreth huazimit dhe dhuratës, me një sqarim ka dalë edhe menaxherja e ateliesë “Matoshi”, duke thënë se fustanet janë të huazuara, por duke treguar se vajzës së Kurtit ia kishin ofruar si dhuratë, por që si e tillë nuk ishte pranuar nga familja e kryeministrit.

Fustani i quajtur “Strawberry Dress”, që e kishte veshur e bija e kryeministrit Albin Kurti në Festivalin e Filmit në Cannes të Francës, është kthyer në temën më të diskutuar që nga mbrëmë për shkak të çmimit prej 490 dollarësh.

Zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi, dje ka deklaruar se fustanet e bashkëshortes së Kurtit dhe vajzës së tyre janë huazuar dhe se do t’iu kthehen kreatoreve menjëherë pas kthimit në Prishtinë.

Megjithatë, tjetër deklaratë dje dha vetë kreatorja e fustanit. Në një postim të zyrtares së PSD’së, Natyra Kuçi, kreatorja Lirika Matoshi tha se fustani është dhuratë për vajzën e Kurtit.

“Ky fustan osht dhuratë nga unë personalisht. Sa postim i turpshëm”, ka komentuar dje Matoshi.

Komento: