Si ndikon projektligji për paga te artistët?

09:09 | 31 Janar 2019

Sipas projektligjit për paga që kaloi dje të gjitha komisionet, artistët dalin të jenë ndër më të demtuarit duke pasur një ulje të konsideriueshme page në krahasim me atë që kanë tani.
Bile pak ditë pasi i kishin marrë pagat me rritje ishte organizuar një ndejë në një hotel luksoz në periferi të kryeqytetit. Aty ishte thënë se ahengu ishte organizuar nga artistët, por realisht faturën e kishte paguar Ministria e Kulturës. Vetë ministri Gashi kishte thënë se ndeja ishte organizuar për të falënderuar Ministrinë e Kulturës. Takimi ngjante me fushatë elektorale.

Por gjërat kanë ndryshuar. Projektligji për pagat parasheh të tjera të ardhura për performuesit e kulturës. Janë shumë më të ulëta sesa ato që marrin nga nëntori në bazë të Rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore. 657 euro është paga e lartë që parashihet në Projektligj për performuesit e kulturës.

Nëse krahasohet me Rregulloren, i bie që paga më e lartë e një aktori të jetë më e vogël se ajo më e ulëta që marrin tash. Sipas Rregullores, paga e trupës rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës është 660 euro. Ata që janë ranguar si të parët e teatrit marrin 800 euro pagë e të dytët 720. Por nëse Projektligji hyn në fuqi, Rregullorja shfuqizohet.

Institucionet e kulturës kanë reaguar të mërkurën. Projektligji parashikon pesë kategori të krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe artit. Pagat nisin me 657 euro dhe vazhdojnë me 573, 478, 430 dhe 394 euro. Sipas Rregullores, që e ka zëvendësuar atë të vitit 2011, paga e udhëheqësit artistik të Teatrit nga 450 është rritur në 860 euro.

Pedagogu dhe solistët e parë të Baletit marrin nga 675 euro pagë. Solisti i dytë, 579 euro. Pjesëtarët e Ansamblit të Baletit kanë pagë prej 521 eurosh. Solistët e “Shotës” marrin pagë 579 euro. Paga e anëtarëve të orkestrës është 521 euro. E sa i përket Filarmonisë së Kosovës, dirigjenti permanent paguhet 868 euro, përderisa koncertmjeshtri 810 euro. Instrumentistëve në shumicën e rasteve u është rritur paga më shumë se 50 për qind sipas Rregullores.

Komento: