Si pasojë e pandemisë humben vendet e punë rreth 40 mijë kosovarë

13:32 | 27 March 2021

Rreth 40 mijë kosovarë humbën vendet e punës si pasojë e COVID-19.

Është bërë një vit me pandeminë me Covid-19 dhe ndikimet e kësaj sëmundjeje ende të panjohur nuk preken vetëm shëndetin e qytetarëve. Ekonominë e vendit e tkurri në rreth 7 përqind, u shuan dhjetëra mijëra vende pune dhe u shuan shumë biznese. Megjithëkëtë ndihma e shtetit po vlerësohet e pakët dhe jo e duhur.

Përkundër që odat ekonomike vlerësojnë se dëmet ekonomike janë të mëdha të shkaktuara nga pandemia, në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, thonë se numri i atyre që humbën punën në këtë kohë është rreth 40 mijë.

Përderisa në Odën e Afarizmit të Kosovës tregojnë se goditja në ekonomi është e madhe dhe sipas vlerësimeve të tyre, 60 mijë qytetarë kanë humbur punën dhe nuk janë mbështetur financiarisht nga shteti.

Zëvendëskryeshefi në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha thotë për KosovaPress, se pandemia sikur çdo vend të botës ka ndikuar edhe në ekonominë e Kosovës, veçanërisht në humbjen e vendeve të punës dhe një rënies së aktiviteteve të shumë bizneseve. Berisha thekson se vërehet që rënia e punësimit dhe aktivitetit ekonomik në vitin 2020, ishte nga muajin mars, pastaj për të arritur në nivel më të ulët në muajin prill.

“Ka pasur ndikim, normal që ka ndikim të dukshëm, sidomos nivelin më të ulët e ka mbërri në muajin prill dhe nëse i referohemi një mesatare sipas të dhënave të Administratës Tatimore për një numër të punësuarve për afërsisht diku te 340 mijë që deklarohen në ATK, në muajin prill ka qenë 300 mijë, duke përfshirë të gjithë të punësuarit”, thotë Berisha.

Sipas Berishës, ka pasur një rënie të Bruto Produktit Vendor (GDP), në tremujorin e dytë dhe të tretë, dhe kështu ndikimet në ekonomi gjatë vitit 2020, ishin të mëdha.

Berisha ka treguar edhe për një rënie të theksuar të aktivitet ekonomik në disa sektor, por që sipas tij, nuk ka mbyllje në numër të madh të bizneseve.

“Publikimet tona për numrin e bizneseve dhe për ndërmarrjet që mbyllen, zakonisht përdoren të dhëna administrative që bizneset duhet në mënyrë ligjore të shkojnë dhe të mbyllin bizneset, në qoftë se e konsiderojmë këtë shifër, që e shfrytëzojmë si burim administrativ nga ARBK-ja nuk ka ndonjë trend që tregon një mbyllje masive, mirëpo në qoftë se i referohemi shënimeve të tjera që mblidhen për ekonomitë, një numër i madh i bizneseve me shumë aktivitete kanë pasur një rënie të theksuar gjatë kohës së pandemisë, zakonisht sipas aktiviteteve në bazë të publikimeve që i kemi edhe të statistikave të biznesit edhe të Bruto Produktit Vendor, aktivitetet që kanë qenë të prekura ka qenë transporti, gastronomia, hotelet të cilat në një mënyrë ose tjetër iu kanë nënshtruar masave për mbrojtjen e shëndetit të popullsisë dhe janë mbyllur”, thekson ai.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi ka thënë se pandemia ka shkaktuar një gjendje të rëndë për ekonominë, punëtorët dhe bizneset.

Krasniqi shtoi se nuk pati mbështetje të mjaftueshme për punëtorët dhe bizneset.

“Kjo është një goditje e rëndë që iu ka ndodhur qytetarëve, punëtorëve dhe familjeve, por edhe bizneset e kanë të vështirë nëse nuk ka përkrahje dhe të rimëkëmben nga goditja e rëndë e cila ka ndodhur”, thekson Krasniqi.

Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës kanë treguar edhe për trendin e tregtisë së jashtme, e cila vlerësohet të ketë pasur një trend rritës prej 24 përqind të eksporteve kundrejt importeve.

“Eksportet janar – dhjetor 2020 në krahasim me 2019 kanë pasur një rritje prej 24 përqind, ndërsa te importet ka pasur një rënie prej 5.7 përqind dhe kur e publikojmë si informator makro ekonomik bilancin tregtar dhe përqindjen e evulimit më 2020 është rritë kjo përqindja e mbulimit të importit me eksport me 14 përqind, edhe pse mbetet ende e ulët, ndërsa në vitin 2019 ishte 11 përqind. Bilanci tregtar është përmirësuar për 9.4 përiqnd në krahasim me 2019”, thotë Berisha.

Përkundër ngritjes së çmimeve për produktet e shportës familjare, përfshirë edhe produktet farmaceutike në pandemi, Berisha thotë se në vitin 2020 nuk ka pasur inflacion.

Komento: