Si përfundoi foshnja e pajetë në lavanderinë e Spitalit të Pejës?

19:26 | 22 December 2022

Edhe një tjetër rast i rëndë ka tronditur mbrëmë opinionin publik, ku të martën e 13 dhjetorit nga pakujdesia e stafit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, trupi i një foshnje të pajetë ka përfunduar i bërë “copa-copa”.

Në lavanderinë e spitalit ku bëhet pastrimi i çarçafëve të repartit të gjinekologjisë, foshnja e pajetë ka përfunduar në lavatriçe.

Ishte fillimisht babai i foshnjës ai i cili vuri re se diçka nuk ishte në rregull kur spitali siç thotë ai po ua shtyente marrjen e foshnjës së pajetë.

Ai i tronditur thotë se ka parë me sytë e tij një punonjës të spitalit teksa ka mbledhur “copat” e foshnjës, ndërsa thekson se më pas ata ia kanë dorëzuar atë në një kuti.

“Me datën 14 u hap rasti në polici, kemi pas me marrë në orën 12:00 me bë varrimin. E morëm foshnjën pas 5 orësh që e kemi pas të caktuar me marrë. E kemi marrë foshnjën me një kuti, në mënyrë mizore dhe e kemi dërgu për varrim. Policinë e kemi njoftu kur kemi shku me marrë foshnjën, pasi pamë që po ikin prej përgjegjësisë dhe po na shtyjnë marrjen e foshnjës, qaty kemi dyshu. Edhe vazhduam poshtë sepse i pamë lëvizjet e punonjësve aty, vazhduam prapa tyre dhe e pam që u shku njeri te lavatriçja dhe është duke i mbledhë copat e foshnjës, prej aty jemi kthy nalt në gjinekologji dhe e kemi lajmëru rastin në polici”, është deklaruar babai i foshnjës së pajetë për Express.

Ndërsa, në përgjigjen e Policisë thuhet se me t’u raportuar rasti kanë dalur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe se tani po hetohet nga Prokurori i Shtetit dhe Inspektorët e Shëndetësisë.

Se hetimet për rastin kanë nisur e konfirmoi mbrëmë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj i cili edhe konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur.

“Kanë filluar hetimet. Këtu është i përfshirë edhe inspektorati i Shëndetësisë, tash po këqyrim a ka persona përgjegjës për këto veprime neglizhente që kanë ndodh, a ka përgjegjësi eventuale. Po, po foshnja ka qenë e vdekur”, tha ai.

Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës tha se prokurori e rastit e ka pritur në takim prindin e foshnjës, ku e ka informuar për të gjithë rastin.

E, ata që u përfshinë në këtë rast, u suspenduan nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës me arsyen “lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e Fetuesit të vdekur tek familjarët”.

Në njoftimin e bërë, thuhet se me qëllim që të bëhen hetime të papenguara dhe të detajuara, Spitali i Përgjithshëm i Pejës është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së rastit.

“Spitalit të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit. Rasti është ende në hetim dhe sapo që organet e hetuesisë dhe Inspektoriatit shëndetësor të dalin me konstatime e veprime përfundimtare, opinioni do të njoftohet me detaje të ngjarjes dhe me masa adekuate të parapara me ligj”, u tha mes tjerash në njoftim.

Për këtë tragjedi të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës nga pakujdesia e stafit të Gjinekologjisë, sot ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë e cila ka shkarkuar nga detyra u.d e Kryeinspektorit, Shaban Osmanaj.

Ministria e Shëndetësisë vlerësoi se në këtë rast “ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit. Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor”, ndërsa shprehin keqardhje për rastin.

Me skandalin në Spitalin e Pejës të tronditur u shprehën dy liderët e partive opozitare.

Memli Krasniqi nga radhët e PDK-së i shokuar nga ky rast, kërkoi nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, që sa më shpejtë ta emërojë Ministrin e Shëndetësisë.

“Edhe çka tjetër duhet me ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri me marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik. A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejtë, Kryeministër e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar!”, kishte shkruar Krasniqi.

Ndërsa lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku akuzoi Qeverinë si të paaftë dhe të papërgjegjshme, pasi siç tha ai, janë bërë 75 ditë që Kosova nuk ka ministër të Shëndetësisë.

“Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit – ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve”, thuhej në reagimin e të parit të LDK-së.

Por, ndryshe nga opozita, reagim për këtë skandal nuk ka pasur nga krerët e shtetit.

Komento: