Si përfunduan Trepça dhe Telekomi i Kosovës me llogari të bllokuara?

10:06 | 31 October 2020

Dy kompanitë më të mëdha në Kosovë, Telekomi dhe Trepça, gjatë kësaj jave kanë përfunduar me llogari bankare të bllokuara, për shkak të borxheve të akumuluara ndër vite.

Telekomi i Kosovës i ka borxh mbi 25 milionë euro kompanisë Z-Mobile për shkak të mospërmbushjes së një kontrate nga ana e Telekomit. Ndërkaq, ndërmarrja Trepça ka një borxh prej rreth pesë milionë euro ndaj Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) dhe operatorëve tjerë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit dhe 80 për qind të aksioneve të Trepçës, është duke bërë përpjekje që të gjendet një zgjidhje për të tejkaluar këtë situatë, por që deri më tani, nuk ka ndonjë plan konkret.

Qeveria e Kosovës konsideron se Trepça ka trashëguar kontrata të pafavorshme, të cilat po i shkaktojnë dëme financiare.

Për të dalë nga kjo situatë, kryeshefi i Trepçës, Hysen Vrajolli thotë se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është duke bashkëpunuar me Bordin dhe Menaxhmentin e Trepçës, për të përgatitur panin e biznesit për tejkalim të situatës.

Viti 2018, nga Qeveria e Kosovës që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinajn, ishte shpallur vit i kompleksit metalurgjik Trepça, që nënkuptonte rifunksionalizimin e ndërmarrjes.

Por, kjo ndërmarrje, e cila llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi, asnjëherë që nga paslufta nuk ka arritur të vihen në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Aktualisht, Trepça merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut dhe është e vetmja prodhuese e këtij lloji në Kosovë.

Por, prodhimi është shumë i ulët dhe atë vetëm rreth 150 mijë tonë xehe në vit, ndërsa, në periudhën para vitit 1999, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

Gjatë këtij viti, kryeshefi i Trepçës, Hysen Vrajolli, thotë se ka pasur rritje të prodhimit për rreth 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por rënia e çmimeve në bursa dhe tregje ndërkombëtare, e ka nxjerrë këtë kompani me afarizëm negativ.

Trepça e cila në vitet e 80-ta punësonte mbi 20 mijë punëtorë, aktualisht ka 1,400 punëtorë, të cilët pas bllokimit të llogarive mund të mbesin edhe pa paga.

Vrajolli pret që llogaria bankare e Trepçës të zhbllokohet gjatë javës së ardhshme, ndërkaq, për të dalë nga kjo krizë në të cilën është futur Trepça, ai thotë se ju duhen pesë milionë euro ndihmë nga qeveria.

Kombinati Trepça gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Trepça, sot brenda Kosovës përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.

Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.

Ngjashëm, si punëtorët e Trepçës edhe mbi 2,500 punëtorët e Telekomit të Kosovës rrezikohen të mbesin pa paga.

Në mungesë të mjeteve, përveç pagave, Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës thotë se rrezikohen të ndërpriten të gjitha shërbimet e telefonisë mobile dhe fiks.

Për të mos ndodhur kjo, Qeveria e Kosovës, thotë Balaj, është e vetmja ajo e cila duhet të nxjerrë Telekomin nga kjo situatë në të cilën ka hyrë.

Bllokimi i llogarive të Telekomit të Kosovës nga një përmbarues privat është për bërë për të dytë herë brenda tre muajve. Në korrik, pas takimeve që kishin pasur përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit me kompaninë Z-Mobile, llogaritë ishin zhbllokuar.

Qeveria e Kosovës, siç thotë Balaj, edhe tani është duke zhvilluar takime në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Ndryshe, Telekomi i Kosovës ishte një kontribuues i fuqishëm i buxhetit të vendit. Për çdo vit, kjo kompani i ka sjellë arkës së shtetit miliona euro.

Nga viti 2008 deri në vitin 2015, kjo kompani i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividendë. Dividendi, sipas ligjit, ndahet në rast se kompania përkatëse shënon rezultate të mira financiare.

Telekomi i Kosovës është kompani publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala.

Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Marrëveshja e vitit 2009 me “Dardafon.net LLC” është konsideruar si kontratë e dëmshme, e cila, përveç tjerash, thuhet se e ka futur në krizë financiare Telekomin e Kosovës. Kjo kompani është e njohur me emrin tregtar Z-Mobile.

Kjo kontratë, i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.

Kontrata në vazhdimësi është konsideruar si e dëmshme, por si e tillë ka zgjatur deri në korrik të vitit 2019, kur bordi i Telekomit të Kosovës pati marrë vendim për shkëputjen e saj.

Pavarësisht fitimeve që Z-Mobile thuhet t’i ketë pasur nga kjo kontratë, kompania ka pretenduar se Telekomi i Kosovës nuk e ka përmbushur kontratën në tërësi dhe e kishte paditur, ku edhe ka fituar rastin.

Telekomi për dëmin e shkaktuar ndaj kompanisë Z-Mobile, obligohet të paguajë një gjobë prej mbi 25 milionë eurosh, për të cilat mjete edhe janë bllokuar llogaritë bankare të Telekomit.

Komento: