Si po ndikon pandemia Covid-19 në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën? – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Si po ndikon pandemia Covid-19 në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën?

20:43 | 17 Prill 2020

Koronavirusi është përhapur pothuajse në tërë botën, duke prekur numër të madh njerëzish.

Kryeministri tashmë në detyrë i Kosovës në ditët e para të qeverisjes së tij kur pati vendosur për heqjen e pjesshme të taksës kishte vënë si kusht ndaj BE-së, liberalizimin e vizave për Kosovën para samitit të Zagrebit i planifikuar të mbahet më 7 maj të këtij viti.

Por, kjo vështirë se do të ndodhë.

Shefja e BE-së në Kosovë javë më parë në një intervistë për lajmi.net kishte theksuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për të ndodhur liberalizimi i vizave.

Megjithatë, është në politikën e brendshme të BE-së dhe qëndrimit të shteteve anëtare të këtij unioni të vendosin pro ose kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ne duam që kosovarët të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe kanë rekomanduar që të hiqen vizat për Kosovën. Tani duhet të merret një vendim përfundimtar nga shtetet anëtare të BE-së. Autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka munden që t’i bindin sa më shpejt shtetet anëtare të BE-së se pranimi i udhëtimit pa viza brenda Zonës Schengen për kosovarët është një fitore për të dyja palë.”, kishte thënë Apostolova.

Megjithatë, njohësi i politikave të BE-së dhe atyre integruese, profesori universitar Arben Fetoshi për lajmi.net ka thënë se edhe pandemia do të shkaktojë vonesat.

Ai thotë se procesi i zgjërimit të BE-së do të afektohet pasi shtetet e Ballkanit Perëndimor do të ballafaqohen për disa muaj me rivitalizimin e ekonomisë pas krizës së koronavirusit.

“Kriza e pandemisë do të ketë ndikim në të gjitha proceset e sidomos në ekonomi. Masat e ndërmarra për parandalim do të afektojnë pashmangshëm edhe procesin e zgjerimit të BE-së, pasi shtetet e Ballkanit Perëndimor do të ballafaqohen për disa muaj pas krizës me rivitalizimin e ekonomisë dhe shërbimeve publike të prekura. Sidoqoftë, përveç vonesave besoj se s’do të ketë ndikim tjetër, pasi BE-ja ka konfirmuar se do ta mbajë së shpejti samitin e radhës për Ballkanin Perëndimor pavarësisht nëse do ta mbajnë në Zagreb apo përmes video konferencës për shkak të pandemisë.”, tha Fetoshi për lajmi.net.

Më tutje, profesori Fetoshi tha se qasja ndaj liberalizimit të vizave do të varet përveç kohëzgjarjes së pandemisë edhe nga zhvillimet politike në Kosovë.

Sipas tij, në rastin se pandemia nuk merr kohë, Gjermania e merr presidencën nga 1 korriku dhe vendimi nuk do të vonohet shumë.

“Në këtë kuadër duhet ta analizojmë edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Vendimi për këtë proces është mbajtur peng për dy arsye: e para për shkak të sfidave të brendshme të shteteve anëtare hezituese, por edhe si mjet presioni ndaj Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë. Prandaj, qasja evropiane ndaj liberalizimit të vizave do të varet, përveç nga kohëzgjatja e sfidës së Covid-19, edhe nga zhvillimet politike në Kosovë. Me krizën aktuale politike e cila veç sa po ashpërsohet, nuk mund të pritet që kjo e drejtë të procedohet në Këshillin e BE-së. Mirëpo, nëse tejkalohet kriza dhe meqenëse nga 1 korriku presidencën e merr Gjermania, jam optimist se vendimi nuk do të vonohet edhe shumë.”, tha Fetoshi për lajmi.net.

Sot, ministri i jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass.

Konjufca ka njoftuar se i ka kërkuar ndihmë Mass-it për liberalizimin e vizave për Kosovën. Megjithatë, pandemia pritet t’i ngadalësojë këto procese.

Komento: