Si ta regjistroni pronën pa gjykatë – Muhamet Bytyqi shpjegon përfitimet e ndërmjetësimit

12:24 | 07 Tetor 2025

Ndërmjetësuesi i licencuar, Muhamet Bytyqi, për herë të parë ka shpjeguar se çfarë nënkupton regjistrimi dhe bartja e pronës përmes ndërmjetësimit. Në këtë intervistë, ai ka sqaruar me detaje pse qytetarët duhet ta zgjedhin këtë mënyrë të zgjidhjes së kontesteve, duke theksuar se ndërmjetësimi është rruga më e lehtë, më e shpejtë dhe më efikase për realizimin e bartjes dhe regjistrimit të pronës. Sipas tij, ky proces jo vetëm që kursen kohë dhe para, por gjithashtu shmang procedurat e gjata gjyqësore, duke ofruar zgjidhje më të pranueshme për të gjitha palët.

Këtë muaj, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës publikoi një mendim juridik të rëndësishëm: marrëveshjet e arritura në procedurën e ndërmjetësimit janë të vlefshme dhe të zbatueshme. Ky vendim e bën të mundur që qytetarët të regjistrojnë apo të bartin pronën në kadastër jo vetëm përmes gjykatës, por edhe me marrëveshje të ndërmjetësimit.

Për të kuptuar më mirë se çfarë nënkupton kjo në praktikë, ne zhvilluam një intervistë me Muhamet Bytyqin, Ndërmjetësues i Licencuar, i cili shpjegon përparësitë e kësaj procedure dhe rëndësinë e vendimit të Gjykatës Supreme.

Çfarë është ndërmjetësimi?

Bytyqi: Ndërmjetësimi është një procedurë jashtëgjyqësore, plotësisht vullnetare, ku palët me ndihmën e një ndërmjetësuesi të pavarur përpiqen të arrijnë marrëveshje për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje, pa pasur nevojë të shkojnë në gjykatë. Është një proces më i shpejtë, më i lirë dhe më efikas sesa procedurat tradicionale gjyqësore.

Pyetje: A është ndërmjetësimi i detyrueshëm?

Bytyqi: Jo. Ai zhvillohet vetëm mbi bazën e vullnetit të lirë të palëve, të shprehur me gojë ose me shkrim.

Pyetje: Si trajtohen palët gjatë procedurës së ndërmjetësimit?

Bytyqi: Të gjitha palët janë të barabarta dhe gëzojnë të njëjtat të drejta dhe detyrime. Ndërmjetësuesi siguron trajtim të drejtë dhe neutral për të dyja anët.

Pyetje: Kush është ndërmjetësuesi?

Bytyqi: Ndërmjetësuesi është një person i tretë, i paanshëm dhe i licencuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili ndihmon palët që të arrijnë një marrëveshje me pajtim të ndërsjellë.

Pyetje: A është ndërmjetësimi publik?

Bytyqi: Jo. Procedura është plotësisht konfidenciale. Çdo deklaratë ose informacion i dhënë gjatë ndërmjetësimit nuk mund të përdoret si provë në një proces tjetër, përveçse me pëlqimin e palëve.

Pyetje: Kush mund ta iniciojë ndërmjetësimin?

Bytyqi: Procedura mund të fillojë nga vetë palët, nga gjykata, prokuroria apo një organ administrativ, sipas ligjit.

Pyetje: Çfarë ndodh nëse njëra palë nuk përgjigjet?

Bytyqi: Nëse pala tjetër nuk reagon brenda 15 ditëve nga pranimi i kërkesës, kjo konsiderohet refuzim i ndërmjetësimit.

Pyetje: Si fillon zyrtarisht procedura?

Bytyqi: Kur palët nënshkruajnë një marrëveshje për ndërmjetësim, ku përcaktohen të dhënat, objekti i çështjes, pranimi dhe shpenzimet.

Pyetje: Sa zgjat zakonisht ndërmjetësimi?

Bytyqi: Në shumicën e rasteve, marrëveshja arrihet brenda disa seancave. Mirëpo afati ligjor është 90 ditë nga nënshkrimi i marrëveshjes për ndërmjetësim. Ky afat mund të zgjatet edhe për 30 ditë me pëlqimin e palëve.

Pyetje: Çfarë vlere ligjore ka marrëveshja e ndërmjetësimit?

Bytyqi: Marrëveshja e ndërmjetësimit ka fuqinë e titullit ekzekutiv, pra është e detyrueshme dhe e zbatueshme njësoj si një vendim gjykate.

Pyetje: Çfarë ka vendosur Gjykata Supreme për regjistrimin e pronës me ndërmjetësim?

Bytyqi: Gjykata Supreme ka theksuar qartë se marrëveshjet e ndërmjetësimit mund të shërbejnë si bazë për bartjen e pronësisë dhe regjistrimin e saj në kadastër, për sa kohë që ato janë formalizuar dhe regjistruar në regjistrat publikë.

Pyetje: A mund të bartet prona vetëm përmes marrëveshjes së ndërmjetësimit?

Bytyqi: Po. Nëse objekti është pronë e paluajtshme – si banesë, tokë apo shtëpi – marrëveshja duhet të formalizohet dhe pastaj të dërgohet për regjistrim në kadastrin komunal për të prodhuar efekt juridik. Vetëm atëherë bartja prodhon efekt juridik.

Pyetje: A është marrëveshja e ndërmjetësimit dokument i vlefshëm për kadastrin?

Bytyqi: Po. Ajo ka të njëjtën fuqi sikur kontrata noteriale ose vendimi gjyqësor. Marrëveshja e ndërmjetësimit, e nënshkruar nga palët dhe ndërmjetësuesi, njihet si dokument i vlefshëm për regjistrim të pronës – njësoj si kontrata noteriale apo vendimet gjyqësore.

Pyetje: A duhet të shkojnë palët në gjykatë për ta zbatuar marrëveshjen?

Bytyqi: Jo. Marrëveshja e ndërmjetësimit është e zbatueshme direkt dhe organet si kadastri janë të obliguara ta pranojnë si bazë ligjore, sipas mendimit juridik të Gjykatës Supreme.

Pyetje: Cilat janë përparësitë e kësaj rruge?

Bytyqi:

Efikasiteti – Proces shumë më i shpejtë, rastet zgjidhen shpejt, brenda disa seancave edhe në një seancë të vetme,
Kosto e ulët – më lirë se procedurat gjyqësore,
Konfidencialiteti – ruhet privatësia e palëve,
Qëndrueshmëria – zgjidhjet bazohen në konsensus,
Fleksibiliteti & Jo-formaliteti – procedurë e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë

Pyetje: Kush përfiton më shumë?

Bytyqi: Çdo qytetar që dëshiron të bartë ose të regjistrojë pronë – qoftë për trashëgimi, dhurim, ndarje pasurie apo marrëveshje familjare – mund ta bëjë këtë përmes ndërmjetësimit.

Pyetje: Çfarë duhet të bëjë një palë që dëshiron ta bartë pronën me ndërmjetësim?

Bytyqi: Palët paraqiten tek një ndërmjetësues i licencuar me dokumentet përkatëse. Pasi të arrihet marrëveshja, ajo nënshkruhet dhe dërgohet në zyrën e kadastrit për regjistrim dhe bartje të pronësisë.

Pyetje: A mund të zëvendësojë marrëveshja e ndërmjetësimit dokumentet zyrtare si certifikata e pronësisë apo leja e ndërtimit?

Bytyqi: Jo. Marrëveshja e ndërmjetësimit nuk mund të zëvendësojë aktin administrativ, lejen e ndërtimit, pranimin teknik apo certifikatën e pronësisë. Ajo mund të shërbejë si bazë për regjistrimin e pronës, por jo si dokument përfundimtar pronësie.

Pyetje: Nëse palët nënshkruajnë marrëveshje për shitblerje apo dhurim prone, a është ajo e mjaftueshme?

Bytyqi: Vetëm nënshkrimi nuk mjafton. Marrëveshja duhet të formalizohet dhe të regjistrohet në kadastër. Vetëm pas regjistrimit krijohet e drejta reale e pronësisë.

Pyetje: Çfarë ndodh nëse njëra palë nuk e zbaton marrëveshjen e ndërmjetësimit për bartje të pronës?

Bytyqi: Marrëveshja e ndërmjetësimit, kur është e formalizuar dhe e regjistruar, ka efekt përmbarues. Kjo do të thotë që pala që nuk e respekton, mund të detyrohet përmes përmbaruesit dhe procedurës gjyqësore.

Ju faleminderit shume për mundësin për të dhëne sqarimet e nevojshme rreth bartjes apo regjistrimit të pronës përmes procedurës se ndërmjetësimit.

Mesazhi juaj për qytetarët

Zgjidhni ndërmjetësimin – një rrugë më e shpejtë, më e lirë dhe më e sigurt për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të bartur pronën në emrin tuaj.

Ndërmjetësimi është zgjidhje që nxjerr të gjithë fitues!

Palët të cilët dëshirojnë që të marrin shërbime të ndërmjetësimit mund të na kontaktojnë qofte përmes numrit të telefonit apo të na shkruajnë përmes e-mailit.

Komento: