Si të shkohet në zgjedhje në veri? Flasin për Front Online ekspertët dhe kryetarët e zgjedhur

17:57 | 11 Gusht 2023
si-te-shkohet-ne-zgjedhje-ne-veri?-flasin-per-front-online-ekspertet-dhe-kryetaret-e-zgjedhur

Kanë nisur procedurat ligjore për largimin e kryetarëve aktual në katër komunat veriore të Kosovës, duke e shtruar kështu terrenin për shpalljen e zgjedhjeve të reja, bazuar në kërkesat e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar.

Për këtë udhëzim administrativ të përpiluar nga Ministria e Pushtetit Lokal ka opinione të ndryshme.

Për njohësin e Kushtetutës, ky udhëzim është plotësisht kundërkushtetues.

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në një prononcim për Front Online thotë se me këtë çështje duhet të merret Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prandaj, sipas tij, kjo është humbje kohe.

“Ky Udhëzim Administrativ nuk duhet të ndodhë, pasi që Ligji për Vetëqeverisjen lokale dhe kushtetuese i sqaron mirë se kush duhet të merret me këtë rast. Përndryshe ky është rast i veçantë, që deri më tani nuk ka ndodhur. Sipas mendimin tim është humbje kohe, për shkak se me këtë duhet të merret KQZ-ja, si institiucion i pavararur kushtetues”, tha ai për Front Online.

 

Kryeziu: Largimi i kryetarëve pa asnjë arsye është kundër kushtetues

Për njohësin e Kushtetutës, Kadri Kryeziu, largimi i kryetarëve pa asnjë arsye është kundër Kushtetutës të Republikës së Kosovës.

Ai thotë se pa motiv, kjo nuk duhet të bëhet.

“Jo, kjo është e sanksionuar me Kushtetutë nenin 72, që është largimi i kryetarit, nuk është as dorëheqje as nuk është shkarkim. Largimi i kryetarit bëhet përmes peticionit në të cilin duhet të nënshkruhen 20% të votuesve dhe ata të cilët janë të regjistruar. Por këtu është defekti, pa marr parasysh se si duhet shkruar, duhet arsyetuar mirë. Cili është motivi që dëshirojnë me e largu kryetarin, i cili ai në bazë të asaj nuk ka shkelur as ligjin, as Kushtetutën. Është një punë koti, mendoj që kjo nuk duhet të bëhet”, thotë ai për Front Online.

 

Largimi i katër kryetarëve, Kryeziu: Ta kundërshtojnë në Kushtetuese, e fitojnë rastin

 

Për ta kundërshtuar këtë udhëzim, kryetarët munden ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Madje, ish gjyqtari Kryeziu thotë se do ta fitonin rastin.

 

“Kryetarët mundem me kundërshtu, unë konsideroj se është shkelje e ligjit dhe e kushtetutës, munden me kundërshtu në Gjykatën Kushtetuese dhe e fitojnë rastin. Sepse për ta larguar një kryetar ose shkarkuar, ose suspenduar, duhet me pasë arsyetim të thellë, pa arsyetim nuk bëhet kjo”, deklaron ai për Front Online.

Për lirimin e pozitave nga kryetarët e komunave veriorë, janë dy zgjidhje, sipas Kryeziut.

Sipas tij, e para është dorëheqja, dhe tjetra është ndërrimi i vendbanimit.

“Rasti më i mirë do të kishte me qenë me dhënë dorëheqje, ose një rast tjetër është edhe më i lehtë me e ndërru vendbanimin. Për shembull kryetarët e komunave veriore me kalu në Mitrovicën Jugore. Nëse ndërron vendbanimin nuk ka të drejtë me ushtru më detyrën e kryetarit të komunës”, thotë ai për Front Online.

 

Ish ministri Ferati: Të japin dorëheqje kryetarët me peticion, procesin e kontrollon Vuçiqi

 

Ndryshe nga Kryeziu po mendon ish-ministri i pushtetit lokal, Sadri Ferati.

Në një prononcim për Front Online, Ferati thotë se Udhëzimi Administrativ për Vetëqeverisje lokale është në kuadër të Ligjit.

“Udhëzimi administrativ është në kuadër të ligjit për Vetëqeverisje lokale, nuk shoh diçka të keqe, ai mund të përpilohet, mund të aprovohet dhe do të jetë si një mundësi zbatimi”, u shpreh ai për Front Online.

Mënyra më e mirë sipas Feratit do të ishte dorëheqja e kryetarëve në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

“Dorëheqjen dhe shkarkimin, të dy mundësitë i parashikon Ligji, i lejon, por unë mendoj që në rastin që është Kosova, mendoj se dorëheqja e kryetarëve me një bashkëpunim të institucioneve qendrore dhe lokale, duke kërkuar mirëkuptim prej atyre, është rrugë më e thjesht, sepse edhe mbahen zgjedhjet në një dinamikë të caktuar, saktësisht brenda 45 ditëve, edhe konsiderohet se është një proces që kontrollohet nga institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe një vullnet i mirë të institucioneve të republikës së Kosovës”, thotë ai për Front Online.

Por, nëse bëhet largimi i kryetarëve veriorë përmes peticionit, sipas Feratit, procesin e kontrollon Vuçiqi me Listën Serbe.

“Ndërsa, peticioni është e kundërta, atëherë procesi del se e kontrollon Vuçiqi dhe Lista Srpska që në fakt duhet t’i grumbullojnë ato 20%, dhe pastaj të shkohet në procedurë”, u shpreh ai për Front Online.

 

Kryetari i Zubin Potokut i gatshëm të dorëhiqet, i Zveçanit ende i pavendosur

Se a duhet të dorëhiqet nga kreu i Komunës për Front Online ka folur kryetari i Zubin Potokut nga radhët e PDK-së, Izmir Zeqiri.

Ai thotë se do t’i përshtatet Ligjit që parasheh Republika e Kosovës.

“Unë nuk e di se si ky udhëzim mundet të shkojë proceduralisht, mirëpo unë do t’i përshtatem secilës formë ligjore që janë insititucionet e republikës së Kosovës”, u shpreh ai për Front Online.

Lidhur me këtë, ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë ai i Zveçanit.

Në një prononcim për Front Online, zëdhënësja e kryetarit të kësaj komune, Diellëza Uka, tha se Ilir Peci nuk ka ende asnjë vendim.

Ajo tha se duhet së pari të konsultohen me partinë.

“Kryetari është duke vazhduar mandatin, është duke i kryer punët që duhet për qytetarët pa dallim etnie, si për serbët, si për shqiptarët, është vazhdimisht në terren, është vazhdimisht duke i takuar qytetarët, jemi duke punuar, sa i përket dorëheqjes nuk kemi asnjë përgjigje. Nuk ka vendim ende, duhet me u konsultu me partinë, nuk merr asnjë hap pa u konsultuar me Partinë Demokratike të Kosovës”, u shpreh ajo për Front Online.

Zgjedhjet janë obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri.

Tensionet në këtë pjesë të Kosovës, janë rritur qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, kanë hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.

Për ta shtensionuar situatën, Kosova ka rënë dakord edhe për zvogëlimin e pranisë policore në ndërtesat komunale në veri.

/Front Online/

Komento: