Sigurimi i automjeteve, lajm i mire për ata që nuk shkaktojnë aksidente

09:04 | 17 December 2019

Paralajmërohen ndryshime në skemën e sigurimeve për ata që nuk shkaktojnë aksidente.

Pas refuzimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që të pezullojë vendimin për rritje të tarifave të sigurimit për automjete, grupi “Marakli t’kerreve” ka angazhuar një avokat që t’i këshillojë se si mund të ndërhyhet në skemën e “bonus-malusit”, në mënyrë që qytetarëve t’iu lehtësohet pagesa e sigurimit të automjeteve, e mandej në rishqyrtim të tarifave të sigurimit të automjeteve, që sipas bazës ligjore duhet të bëhet çdo vit, të marrin pjesë si përfaqësues të grupit.

Përfaqësues të këtij grupi kanë bërë të ditur se kanë zhvilluar disa takime me guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti, dhe se ky i fundit u ka kërkuar që të formojnë një grup punues në mënyrë që të vazhdojnë takimet e mëtejme për të parë se si mund të adresohen 5 kërkesat e tjera të tyre.

Përfaqësuesi i grupit “Marakli t’kerreve”, Agan Hajdarhoxha, ka thënë për Kohën Ditore se atyre BQK-ja ua ka refuzuar kërkesën e parë që ka qenë pezullimi i vendimit për rritje të tarifave për sigurim të automjeteve për 26 për qind.

“Na kanë kërkuar që ta bëjmë një grup punues, që të mund të bëjmë diçka në skemën e bonos-malusit, me e gjet një formë të mirë që nëpërmjet bonos-malusit me ua lehtësua qytetarëve punën e shtrenjtimit të sigurimeve”, ka theksuar Hajdarhoxha.

Ai ka thënë se askush nuk iu ka ndihmuar në aspektin ligjor në adresim të kërkesave.

Komento: