Sigurohet mbështetje e Bankës Botërore në projektet e ujitjes

19:16 | 21 March 2019

Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë bujqësinë në Kosovë në avancimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore.

Kjo u theksua në takimin që Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zivic pati me zyrtarët e Bankës Botërore.

Me këtë rast, Ministrja Zivic, i falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar dhe po i ofrojnë sektorit të bujqësisë dhe theksoi rëndësinë e projekteve të BB-së në realizimin e projekteve të përbashkëta në zhvillimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë, ku sipas saj projekte të tilla janë të domosdoshme për zhvillimin e mëtejmë të bujqësisë.

Nga ana e tij, David Michaud, menaxheri i praktikës për praktikën globale të ujit me bashkëpunëtorë shprehën përkushtimin e tyre që të vazhdojnë të mbështesin sektorin dhe konkretisht të investojnë në zgjerimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore. Ai rikonfirmoi mbështetjen e Bankës Botërore për bujqësinë, duke theksuar se si sektor ka kontribuar dhe po kontribuon në zhvillimin ekonomik në vend dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Palët u pajtuan që të kenë koordinim të vazhdueshëm për realizimin e projekteve të reja mes MBPZHR-së dhe BB-së për zhvillimin dhe fuqizimin e bujqësinë në Kosovë.

Komento: