Simeone po “çmendet” pas yllit të Milanit

17:30 | 19 Shkurt 2022

Atletico Madrid, është klubi i fundit që ka shprehur interesim për Rafael Leao. Anësori i Milanit ka qenë në formë të mirë këtë sezon.

Rafael Leao është një nga lojtarët më të spikatur të AC Milan këtë sezon. Anësori portugez ka qenë në formë të bujshme dhe më në fund ka filluar të tregojë potencialin e tij të vërtetë, përcjell ORAinfo.

Me 10 golat e shënuar deri më tani, dhe disa paraqitje të shkëlqyera, 22-vjeçari ka tërhequr shumë vëmendjen e klubeve të huaja. Kuqezinjtë janë të vetëdijshëm për interesin serioz rreth Leaos dhe po përpiqen ta lidhin atë me një marrëveshje të re.

Drejtuesit e kuqezinjve janë në negociata të avancuara me agjentin e tij Jorge Mendes për një kontratë të re deri në vitin 2026.

The Sun kohët e fundit raportoi se Arsenali ishte i impresionuar shumë nga Leao me skuadrën e Premier League të gatshme për të bërë një ofertë joshëse për shërbimet e tij. Topçinjtë po kërkojnë të rinovojnë sulmin e tyre pas largimit të Aubameyang me Lacazette të vendosur për të ndjekur hapat e tij. Megjithatë, edhe Atletico Madridi është i interesuar për Leaon.

Sipas Todofichajes, Diego Simeone është një tjetër trajner që po e ruan anësorin portugez. Atletico Madrid është në kërkim të një zëvendësuesi për Joao Felix. Ish-ylli i Benfica-s ka dështuar t’i përmbushë pritjet pas transferimit të tij rekord prej 127 milionë eurosh. Sulmuesit e tjerë të Colchoneros si Suarez, Cunha dhe Griezmann nuk kanë ecur më mirë./ORAinfo/

Komento: