Sinani e konfirmon se nesër do të ketë seancë për shkarkimin e saj

17:50 | 10 Prill 2022

Nesër do të ketë një seancë speciale.

“Alternativa për ndryshim” në Preshevë ka mbledhur nënshkrimet për të rrëzuar qeverisjen lokale, përmes të cilës kërkohet shkarkimi i kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Gazeta Online Reporteri.net dy ditë më parë kishte raportuar për këtë ku kishte publikuar dokumentin për shkarkimin e kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Është sot vet kryetarja Ardita Sinani që ka konfirmuar raportimin e bërë nga Reporteri.net para dy ditësh, duke thënë se kryetari i Kuvendit të Preshevës, z.Sami Salihu, në bazë të kërkesës së këshilltarëve të opozitës, ka ftuar për nesër, ditën e hënë, me fillim në ora 10:00, seancë të jashtëzakonshme, me pikë të vetme të rendit të ditës: Shqyrtimi i propozimit për shkarkim të Kryetares së Komunës së Preshevës.

Por Sinani ka thënë se nuk ka mundësi të marrë pjesë në këtë seancë pasi nesër nga ora 08:00 e mëngjesit ka takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, andaj ka kërkuar që të shtyhet seanca për një kohë më të përshtatshme.

Postimi i saj:

Të nderuar qytetarë,

Siç e dini, kryetari i Kuvendit të Preshevës, z.Sami Salihu, në bazë të kërkesës së këshilltarëve të opozitës, ka ftuar për nesër, ditën e hënë, me fillim në ora 10:00, seancë të jashtëzakonshme, me pikë të vetme të rendit të ditës: Shqyrtimi i propozimit për shkarkim të Kryetares së Komunës së Preshevës.

Duke qenë se si përfaqësues politikë nga Lugina e Preshevës jemi të ftuar nesër në takim në Prishtinë, në ora 8.00, nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, ku kam konfirmuar pjesëmarrjen time, njoftoj opinionin publik se së bashku me z.Munir Rexhepi, Shef i Grupit të Këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik në Kuvendin Komunal të Preshevës, kemi kërkuar sot nga kryetari i Kuvendit Komunal z.Sami Salihu, që ta shtyjë seancën për një kohë më të përshtatshme, meqë është e pamundur të jem e pranishme fizikisht në ora 10.00 në Preshevë.

Besoj në mirëkuptimin e kryetarit të Kuvendit, z.Sami Salihu, por edhe në përkrahjen e Këshilltarëve të tjerë Komunalë, për ta mundësuar praninë time në seancën ku është inicuar shqyrtim-propozimi për shkarkimin tim.

Komento: