Sinani u mbajt një orë në kufi nga policia serbe, “shkaku që është këshilltare e Kurtit”

13:06 | 07 Gusht 2023
sinani-u-mbajt-nje-ore-ne-kufi-nga-policia-serbe,-“shkaku-qe-eshte-keshilltare-e-kurtit”

Ardita Sinani, këshilltare politike e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për Luginën e Preshevës, ka thënë se është ndaluar këtë të hënë rreth orës 10:00 “në vendkalimin kufitar me Republikën e Kosovës, në Muçibabë, jam ndaluar nga policia kufitare serbe për mbi një orë”.

Sipas Sinanit, kjo ka ndodhur për shkak të postit që e mban si këshilltare e Kurtit.

“Kjo mbase mund të jetë kostoja e të qenit këshilltare Politike e kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jetë mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë ajo.

Sinani tha se arsyetimi i vetëm që iu dha nga policët kufitarë të Serbisë ishte “Kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza”.

“Asnjë sqarim shtesë për arsyen, apo se kush është baza që duhet pyetur dhe marrë leje për të kaluar kufirin”, vijoi ajo.

Ky rast, sipas saj, do të jetë shtytje për ta ngritur zërin për diskriminimin shtetëror të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë.

Ndalimi nga policia sipas Sinanit “është edhe metodë e vjetër politike e shtypjes e etërve politikë të udhëheqësve aktualë të Serbisë”.

Komento: