Sindikalisti i Trepçës: Kryeshefi shantazhues e diktator, gjendja e minatorëve është e tmerrshme

17:34 | 31 Tetor 2023
sindikalisti-i-trepces:-kryeshefi-shantazhues-e-diktator,-gjendja-e-minatoreve-eshte-e-tmerrshme

Minatorët e Trepçës nuk e kanë ndërmend të ndalën në realizimin e kërkesave të tyre.

Ata edhe ditën e tetë të grevës e kanë kaluar në nëntokë.

E kjo, ka bërë që te disa minatorë të përkeqësohet gjendja shëndetësore.

Këtë situatë, Gani Osmani nga Sindikata e minatorëve të “Trepçës” e konsideron katastrofale.

Ai në një intervistë për Front Online ka thënë se çdo ditë minatorët po duhet t’i dërgojnë në emergjencë.

“Çka është më e rënda është se gjendja momentale e minatorëve është katastrofale. Aty çdo ditë së paku 6 ose 7 po kërkojnë me i dërgu në emergjencë. Gjendja më e tmerrshme është shëndeti i punëtorëve, kërkesat dihen. Ne i kemi tri kërkesa, e para është garantimi i pagës që mos me pasë vonesa të pagës, kërkesa e dytë është pakënaqësitë që janë mbledh qe dy vjet prej keqmenaxhimit, që kemi ardh deri këtu, është shkarkimi i tij dhe e treta është përmirësimi i kushteve të punës, që përfshinë kontrata kolektive”, deklaroi ai për Front Online.

 Osmani: Urgjente të shkarkohet Kryeshefi, po kërcënon e shantazhon minatorët

Minatorët e Trepçës po kërkojnë me urgjencë shkarkimin e kryeshefi të tyre.

Gani Osmani nga Sindikata e minatorëve të “Trepçës” në një intervistë për Front Online ka thënë se menaxhmenti nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta.

Ai thotë se menaxhmenti e ka bërë ndërmarrjen Trepça si monarki.

“Menaxhmenti nuk fol me neve, ne kemi kërku si sindikatë disa herë me pas takim me ta, mirëpo ai me neve nuk ka kontakte, nuk dëshiron me bashkëpunu, jep dezinformata në Qeveri që në Trepçë punëtorët nuk po punojnë, thotë sa të qet, unë kam me ja dhënë rrogën aq, domethënë e ka bërë Trepçën si me qenë monarki. Shkurt e shqip ai me sindikatë nuk dëshiron me bashkëpunu. Nëse nuk je në anën e tij, e s’i jep lëvdata, ose ia thu të vërtetën se çka ka ndodh keq, ky edhe të përjashton prej pune”, u shpreh ai për Front Online.

Ai thotë që minatorët janë të inatosur pas kërcënimeve që kanë marrë nga kryeshefi.

Për këtë, edhe nuk do të ndalen deri në shkarkimin e tij.

“Më urgjente është shkarkimi i kryeshefit, sepse minatorët më nuk e njohin. Deri sot ka marr vendime, mirëpo tani edhe me disa shantazhe, me kërcënimet që po i bënë, po i nxit edhe më shumë minatorët. Ai punëtorët i ka quajtur sabotera, thotë s’po punojnë, po e bojkotojnë punën, një kërcënim, e tani vetëm sa janë inatos edhe më shumë minatorët”, u shpreh ai.

Suspendimi i minatorëve/ Osmani: Kryeshefi është një lloj diktatori, do të dëshironte me na fut edhe në burg 

Menaxhmenti i Trepçës të hënën ka marrë vendim që të suspendojë nga puna kryetarin e sindikatës së punëtorëve Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator me arsyetimin se e kanë shkelur ligjin dhe e kanë rrezikuar rendin kushtetues.

Mirëpo ky vendin, për Gani Osmanin është i paligjshëm.

“Unë personalisht nuk ia pranoj, sepse është vendim i paligjshëm”, u shpreh ai.

Ai për Front Online, kryeshefin e Ndërmarrjes Trepça e ka quajtur diktator.

“Nuk e kam marr tragjike që më ka përjashtuar prej pune, sepse unë ia kam thënë disa herë, edhe në sy të bordit edhe në sy të zv/ministrave, ia kam thënë të gjitha të këqijat, e këtij si t’i thuash të këqijat në sy, ai të ka ‘halë në sy’ edhe të përjashton. Unë e kam prit që me pas mundësi, ai edhe në burg të shtin, është një lloj diktatori”, u shpreh ai për Front Online.

Pakënaqësitë e minatorëve, Osmani: Partitë e tjera kanë bashkëpunuar, edhepse nuk realizuan asgjë

Gani Osmani nga Sindikata e Minatorëve të Trepçës në një intervistë për Front Online ka thënë se pakënaqësitë i kanë pasur gjithmonë, edhe kur në pushtet ishin partitë e tjera politike.

Mirëpo, sipas tij, partitë e tjera sa kanë qenë në pushtet kanë bashkëpunuar, e jo si ajo e Kurtit.

“Pakënaqësitë kanë qenë gjithë, se kushtet asnjëherë për Trepçën nuk janë zgjedh kurrgjë. Unë kam qenë kryetar sindikate, iu kam bërë ftesa, kam bërë kërkesa te të gjitha partitë, të gjitha na kanë prit, na kanë premtuar se kanë me i realizu por su bë kurgjo. Mirëpo një farë bashkëpunimi me sindikatat kanë pasë”, deklaroi ai për Front Online.

Komento: