Sindikata bën thirrje urgjente që të sigurohet mbulimi i sigurimit shëndetësor për policët

16:38 | 14 December 2024
sindikata-ben-thirrje-urgjente-qe-te-sigurohet-mbulimi-i-sigurimit-shendetesor-per-policet

Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje urgjente akterëve shtetërore për të siguruar mbulimin shëndetësor për punonjësit e Policisë.

Sindikata ka thënë se çështja e sigurimit shëndetësor është ngritur prej kohësh, por se institucionet nuk kanë arritur të ofrojnë zgjidhje konkrete.

“Duke shprehur shqetësimin për këtë ngjarje, Sindikata bën thirrje urgjente drejtuar të gjithë akterëve shtetërorë për të siguruar mbulimin shëndetësor për punonjësit e Policisë së Kosovës. Sindikata i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesën që të ndërmerren masa të menjëhershme për sigurimin e mbështetjes shëndetësore për policët.

Kjo kërkesë vjen si pasojë e një vetaksidenti të fundit, ku një automjet policor pësoi aksident, duke lënë të lënduar tetë zyrtarë policorë. Ngjarje të tilla, që po përsëriten shpesh, theksojnë mungesën e një mbulimi të duhur shëndetësor për ata që çdo ditë përballen me rreziqe të larta në shërbim të vendit”, thuhet në komunikatën e sindikatës.

Ndërsa, ka theksuar tutje se sigurimi shëndetësor për policët është urgjent dhe i domosdoshëm.

Kujtojmë se të premten në mbrëmje një autoblindë e Policisë së Kosovës është përfshirë në një aksident në Grabovc të Zveçanit, ku si pasojë janë lënduar disa zyrtarë policorë.

Komento: