Sindikata e Punëtorëve Privat: Shumë kompani nuk po e respektojnë rritjen e pagës minimale prej 425 euro

13:19 | 10 Shkurt 2026
sindikata-e-punetoreve-privat:-shume-kompani-nuk-po-e-respektojne-rritjen-e-pages-minimale-prej-425-euro

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, ka njoftuar se edhe pse paga minimale prej 425 euro bruto, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026 sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, në shumë raste nuk po respektohet.

Sipas FSPTSPK-së, shumica e punëtorëve teknikë në institucione publike përmes kompanive private kanë marrë rritje pagash, por në disa raste ka kompani që ende nuk kanë kryer pagesën për muajin Janar dhe për këto raste ende nuk kemi informata të plota se sa po zbatohet ky vendim.

“Ekzistojnë raste konkrete, si në Shkollën e Mesme Teknike dhe Gjimnazi në Drenas, ku punëtorët teknik vazhdojnë të marrin pagë prej 237 euro neto, pa asnjë ndryshim apo zbatim të vendimit për rritjen e pagës minimale”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, sipas FSPTSPK-së në disa shkolla të Prishtinës, punëtorët teknik ende nuk kanë marrë pagat dhe nuk do të ketë rritje të pagës. Ndërkaq, punëtorët teknik në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë marrin pagë 370 euro, që është nën pagën minimale të parashikuar. Federata bën thirrje të fortë për kompanitë që nuk po e respektojnë vendimin.

“Kërkojmë nga të gjitha kompanitë që nuk po e respektojnë vendimin për pagën minimale, të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe ta zbatojnë atë sa më shpejt, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Komento: